Biznesmeni Markovski u largua nga Maqedonia pasi Gjykata ia ktheu pasaportën

TË FUNDIT

Biznesmeni nga Manastiri dhe konsulli i nderit i Bjellorusisë në Maqedoninë e Veriut, Borçe Markovski, është ndaluar dje në pikën kufitare “Tabanoc”, por pas kontrolleve policore është lejuar të largohet nga shteti.

Nga MPB njoftuan se ndaj Markovskit nuk kishte masë aktive për ndalim të kalimit të kufirit. Largimi i tij pasoi vendimin e Gjykatës Themelore në Strugë për t’ia kthyer pasaportën, e cila i ishte konfiskuar si masë kujdesi.

Markovski dhe tetë persona të tjerë akuzohen për zhvendosjen e stacioneve operative nga miniera “Osllomej” në TEC “Manastir”, në një tender me vlerë mbi 1.7 milionë euro. Seanca e parë gjyqësore është caktuar për 2 shtator.

“Nga Prokuroria që nga fillimi është kërkuar masa e paraburgimit, ndërsa zëvendësimi i saj me garanci dhe konfiskimi i pasaportës, disa muaj më parë, ishte vendim i gjykatës. Për kthimin e fundit të pasaportës do t’u sigurojmë përgjigje gjatë ditës”, thonë nga Prokuroria.