Pakoja e parë dhe e dytë ekonomike që qeveria i solli për të mbështetur biznesin, nuk po gjen zbatim tek të gjitha kompanitë, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Iseni. Ai sqaron se në përgjithësi numri i bizneseve që janë përkrahur me këto pako, arrin diku te 20 mijë, që nuk kap as 20%-shin e kompanive.
“Nga mjetet që qeveria në baza të ndryshme i ka siguruar. Në bazë të kredive, donacione të ndryshme, nga mjetet prej 550 milion, afër 30 milion janë të injektuara zyrtarisht në bizneset e Maqedonisë”, tha Drilon Iseni, OEMVP.
Krahas injektimit të ulët të mjeteve për bizneset, e ulët mbetet edhe pjesëmarrja e mikro biznesieve në masat e qeverisë.
“Një pjesë e bizneseve nuk i plotësojnë kushtet sepse qeveria i ka caktuar kushtet si të tilla. Disa kritere kanë qenë përjashtuese. Në aspekt të subvencionimit të pagave. E dyta, në aspekt të kredive pa kamatë, procedura ka qenë e tillë që shumë pak kompani kanë arritur të marrin hisen e tyre, për shembull nga Banka Maqedonase për Zhvillim, diku 117 kompani janë përkrahur me thirrjen e parë të COVID-1, që është e barabartë diku me 4,05 milion euro që është një vlerë shumë e vogël”, tha Drilon Iseni, OEMVP.
OEMVP, që përfaqëson mbi 1900 sipërmarrje, ka ngritur në qeveri shqetësimin e bizneseve se Banka Maqedonase për Zhvillim nuk u përgjigjet për kërkesat e tyre, ndërsa arsyetimin që kanë marrë është se kjo kredi funksionon me parimin ‘shërbehet ai që arrin i pari’.
I pyetur për këto pakënaqësi të bizneseve që i përcjell Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se kur janë përpiluar pakot, i kanë konsultuar edhe Odat Ekonomike të vendit dhe se programin e mbështetjes e quan të suksesshëm.
“Ne kemi pranuar si qeveri një sërë vërejtjesh para se të fillojmë me implementimin e masave. Ato vërejtje janë inkorporuar në masa dhe sa i përket realizimit ne mendojmë se është i suksesshëm, për momentin që flasim vetëm nga masa për ndihmën financiare për punonjësit kemi pothuajse mbi 120 mijë punonjës të cilët kanë përfituar nga kjo masë dhe mbi 19 mijë kompani”, tha ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Por nëse janë përkrahur 19 mijë kompani me subvencionim pagash prej 14,500 denarëve, drejtori ekzekutiv i OEMVP-së rikujton se numri total i subjekteve të regjistruara është rreth 70 mijë, që nënkupton se 50 mijë kompani s’kanë përfituar nga kjo masë.
Iseni tregon se disa kërkesa të OEMVP-së nuk janë pranuar nga qeveria, siç është sigurimi i kredive me norma të interesit me vlerë minimale prej 0.5%. Kanë kërkuar që kompanive të mos u merret akontacioni për tatimin në fitim sepse 2020-ta do të jetë vit më humbje, ndërsa më me urgjencë kërkojnë që kthimi i TVSH-së të realizohet me prioritet te kompanitë sepse tani ato kanë më së shumti nevojë të jenë likuide.