Prioritet i Qeverisë së Kosovës mbetet programi 2015-2018 i cili parasheh lehtësira për bizneset dhe është konform standardeve evropiane, u tha në takimin e sotëm të komunitetit të biznesit me përfaqësues institucionalë, në të cilin kryeministri Mustafa dhe ministrat e linjës bashkëbiseduan me përfaqësues të bizneseve.
Pakoja e re fiskale sipas kryeministrit Mustafa është në favor të bizneseve dhe kjo do të arrihet shumë shpejt.
Mustafa ndër të tjera tha se kjo Qeveri ka arrit t’i ulë shpenzimet për këtë periudhë, por ka treguar edhe rritjen e akcizës për ato biznese të cilat ushtrojnë veprimtari për lojëra të fatit dhe për fishekzjarrë.
Përfaqësuesit e AKB-së, ndërkaq, kërkuan nga Qeveria që kompanive prodhuese vendore t’ju krijohen kushte të barabarta në treg.
Kryeministri theksoi se ndër masat më të rëndësishme që ka ndërmarrë Qeveria janë edhe pakoja e re fiskale, përgatitja e Ligjit për investime strategjike, si dhe Ligji për faljen e borxheve.
Mustafa tha se, sa i për ketë pakos së re fiskale, ai mendon se përmes kësaj kanë thjeshtëzuar sistemin tatimor dhe procedurat tatimore. Ai njoftoi se gjatë kësaj periudhe janë ulur shpenzimet qeveritare, derisa është ngritur akciza për ata të cilët merren me lojëra të fatit dhe fishekzjarrë.
Kryeministri tha se është i vetëdijshëm për informalitetin, por sipas tij kjo do të luftohet që bizneset të marrin frymë lirshëm.
Nënkryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) Burim Piraj tha me këtë rast se duhet të ndihmohen kompanitë prodhuese që të jenë të barabarta në tregun tonë.
Sipas tij, duhet një ambient më i mirë për kompanitë prodhuese të cilat janë edhe dega kryesore e zhvillimit të punësimit në vendin tonë.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, tha se derisa në vitin 2014 problemet kryesore për të bërë biznes në Kosovë kanë qenë korrupsioni, burokracia, kamatat e larta bankare dhe mungesa e financimit të projekteve. Ndërkaq, në gjashtë muajt e parë këtij viti 2015 ndryshon kjo figurë.
Ndërsa, për shtimin e dialogut dhe fuqizimin e mekanizmave për të bërë përpjekje shtetërore serioze për luftimin korrupsionit dhe të ekonomisë joformale, ka folur Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane.
Zeka beson se ligjet tatimore do të mundësojnë luftimin e kësaj dukurie.
Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ka kritikuar bankat se ende po mbajnë kamatat e larta për bujqësi. Sipas tij, ende ato kamata mbeten dyshifrore për bujqësinë.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Shpend Balija theksoi se bizneset vendore si dhe Investitorët e huaj tanimë ballafaqohen me një mori probleme të cilat janë ngritur edhe më herët tek ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura, por mungon reagimi konkret për të përmirësuar këtë gjendje. Si rezultat, tha Balija, këto vonesa po krijojnë telashe në vazhdimësi dhe po krijojnë një imazh negativ për investime te reja të cila t janë shumë të nevojshme.
