Bie numri i të infektuarve, vazhdon vaksinimi – Kërçova me vetëm 4 persona të hospitalizuar nga Covid-19

TË FUNDIT

Ka rënë dukshëm numri i të infektuarve me Covid-19 në Kërçovë. Në qendrën Covid të qytetit vetëm 4 persona janë të shtrirë në spital, numër ky që është shumë i vogël krahasuar me fundin e muajit prill, kur të hospitalizuar ishin 36 persona. Drejtori i Spitalit, Stanko Tërpeski, thotë se për momentin në Kërçovë janë rreth 80 pacientë të infektuar, të gjithë me gjendje stabile shëndetësore.

“Në qendër për Covid janë të shtruar 4 pacientë të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore, mendojmë se ky numër do të zvogëlohet ende, megjithatë bëjmë kujdes dhe të shohim javën e ardhshme të mos rritet ky numër. Sa u takon testimeve kemi nga 10 teste në ditë dhe siç mund ta shihni edhe në bazë të statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë kemi vetëm nga 1,2 deri më 3 raste aktive dhe për momentin në Kërçovë kemi diku 80 raste aktive me Covid”, deklaroi Tërpeski.

Procesi i vaksinimit po vazhdon. Në Kërçovë gjithsej janë vaksinuar 3000 persona, 1500 me Astra Zeneka dhe 1500 me Sinofarm. Me këtë të fundit ka nisur edhe rivaksinimi, 1500 persona do të marrin dorën e dytë.

Nga pika e vaksinimit thonë se si faza e parë e vaksinimit, po ashtu edhe e dyta janë zhvilluar pa pengesa dhe tek asnjë person nuk kanë hasur efekte anësore nga vaksinimi.

“Deri me tani kemi vaksinuar përafërsisht 1500 persona me Sinofarm po aq edhe me Astra Zeneka. Për momentin jemi në rrjedhë e sipër me fazën e dytë të vaksinimit me Sinofarm dhe i vaksinojmë ata pacientë që kanë pranuar dhe dozën e parë tek ne”, tha motra kryesore, Mirjana Mojsoska.

Pika kryesore e vaksinimit për kërçovarët është në Ohër dhe Manastir. Në këto qytete do të vaksinohen personat që kanë aplikuar përmes aplikacionit “vakcinacija.com”, ndërsa në Kërçovë vaksinohen personat që kanë aplikuar përmes programit “Termini im” nëpërmjet mjekut amë.