Valmira Zendeli, gazetare:
“Thirrja për të falur namazin e sabahut do të dëgjohet edhe gjatë ditës së diel gjatë ditës së Bajramit, por se a do të mund t’i përgjigjen kësaj thirrje besimtarët mysliman varet nga vendimi i Qeverisë nëse do të ketë ose jo orë policore”.
Derisa pritet që Qeveria të sjellë vendim mbi propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për orë policore gjatë festës së Bajramit, nga ana tjetër, Bashkësia Fetare Islame publikoi udhëzimet se si do të duhet të sillen besimtarët myslimanë gjatë faljes së namazit të Bajramit.
BFI:
-Falja e namazit të sabahut të bëhet në shtëpi
-Falja e namazit të Fitër Bajramit mos të zgjatë më shumë se 15 minuta
-Maksimalisht të largohemi nga përshëndetjet me kontakte fizike
-Largimi nga vizita e varrezave
-Gjatë ditëve Fitër Bajramit vizitat tradicionale të jenë sa më të pakta
Në masat e publikuara BFI, sugjeron që të respektohet masat për dezinfektim, distancë sociale dhe mosgrumbullim në grupe të njerëzve.
Për orën policore gjatë Festës së Bajramit kreu i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi ka rekomanduar që vendi të ndjekë shembullin e propozuar në Turqi për festën e Fitër Bajramit.
“Ne edhe pse si shtet nuk jemi pjesë në shtetet shumë të zhvilluara dhe duhet të ndjekim se si sillen shtete e zhvilluara perëndimore. Nga ana tjetër si myslimanë po ashtu duhet të ndjekim shtete e zhvilluara që kanë shumicë myslimane, e më lejoni që në këtë rast si shembull ta marr Turqinë dhe t’i besojmë këtyre shteteve. Sidomos e kam ndjekur pozicionimin e qeverisë së Turqisë, institucioneve dhe presidentit të Turqisë dhe them se Turqia si shtet me mbi 90% të myslimanëve ka një veçori prej shteteve të tjera myslimane sepse është anëtare e NATO-s dhe është e testuar me pushtet demokratik përmes votës së lirë dhe zgjedhjeve korrekte dhe demokratike”, tha Menduh Thaçi, PDSH.
Nga VMRO-DPMNE nuk pajtohen që të ketë orë policore gjatë festës së Bajramit dhe gjatë festës së Shën “Kirili dhe Metodi”.
VMRO-DPMNE:
“Është e palogjikshme që të paralajmërohet se restorantet do të punojnë nga e marta, ndërsa të bëhet i detyrueshëm qëndrimi në shtëpi gjatë fundjavës së zgjatur. Me fjalë të tjera e diela dhe e hëna për Qeverinë e LSDM-së janë të rrezikshme, ndërsa e marta nuk është. Në bazë të cilave kritere është sjellë ky propozim? VMRO-DPMNE pati konsideruar se edhe gjatë Pashkëve masa për orë policore të plotë është tejet shtrënguese, e njëjtë është edhe kjo e propozuara tani për festën e Bajramit.”
Komisioni për sëmundje ngjitëse ka kërkuar orë policore nga e shtuna ora 19-të, deri të martën ora 5:00.
Arsyeja se përse është kërkuar orë policore e zgjatur gjatë vikendit sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe është se rritja e numrit të infektuarve kohëve të fundit është për shkak të mbledhjeve familjare.
