Beteja për zgjedhjen e kryetarit të Shkupit do të zhvillohet në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Më 2 nëntor, qytetarët e Shkupit do të zgjedhin kryetarin e ri të qytetit mes Orce Gjorgjievskit nga koalicioni “Maqedonia Jote” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe kandidatit të Levicës, Amar Mecinoviq.
“Nuk jam i përqendruar te kundërshtarët, sepse mendoj se as kundërshtar nuk kemi. Unë jam i përqendruar te populli, që të shtrëngoj sa më shumë duar në raundin e dytë, të takoj sa më shumë qytetarë, t’ua shpjegoj vizionin tim për katër vitet e ardhshme. Dhe me mëngët e përveshura, nga sot pa kravatë, pak më agresivisht në terren dhe po përgatitemi për atë që nënkupton rregullimin e kaosit në qytetin e Shkupit”, theksoi Orce Gjorgjievski, kandidat për kryetar të Shkupit nga VMRO-DPMNE.
Gjorgjievski tha se menjëherë do të dalë në terren dhe do t’u ofrojë dorën të gjithë kandidatëve dhe strukturave politike që nuk hynë në raundin e dytë. Ai nuk precizoi nëse pret mbështetje nga LSDM dhe AKI. Tha se nuk ka ende analizë të rezultateve, por surprizë ishte pjesëmarrja më e ulët e qytetarëve.
Sipas Mecinoviqit, rezultatet e raundit të parë janë për shkak se mijëra njerëz në Shkup janë inkurajuar të vendosen në anën e ndryshimit.
“Sot, jo vetëm që Levica hyri në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve lokale, por sot u zgjua Shkupi. Sot qytetarët e Shkupit treguan guxim se janë të gatshëm të zgjedhin ndryshe. Sot Levica shkroi histori, sepse për herë të parë në historinë e Republikës së Maqedonisë, në kryeqytet kemi një kandidat që nuk është i mbështetur as nga VMRO-DPMNE as nga LSD”, u shpreh Amar Mecinoviq, kandidat për kryetar të Shkupit nga Levica.
Mecinoviq premtoi një fushatë pozitive si deri tani dhe tha se në pjesën e dytë të lojës do ta mposhtin, siç tha, atë vizion që për 30 vjet ua ka përcaktuar fatin qytetarëve. Mecinoviq i ftoi të pavendosurit që t’u bashkohen.
Sipas KSHZ-së dhe 100% të të dhënave të përpunuara, në avantazh të qartë është Orce Gjorgjievski me 39%, pas tij vjen Amar Mecinoviq me 13%, ndërsa menjëherë pas tij është Bashkim Bakiu, dhe në vendin e katërt përfundoi Kaja Shukova. Skender Rexhepi i AKI-së mori 11% të votave.
Këshilli 45-anëtarësh i qytetit do të përbëhet nga 18 këshilltarë nga VMRO-DPMNE, nga 6 këshilltarë do të ketë VLEN, AKI dhe Levica, ndërsa LSDM do të ketë pesë. Nga një këshilltar do të kenë ZNAM, koalicioni “Përvojë për sukses” dhe të pavarurit Jana Belçeva Andrejevska dhe Marjan Kalevski.
