Besimtarët nga Maqedonia këtë vit nuk do të mund të shkojnë në haxhillëk

TË FUNDIT

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut ka informuar se këtë vit besimtarët e vendin tonë nuk do të mund të shkojnë në Haxh.

“Në bazë të vendimit të marrë nga Ministria e Haxhit në Mbretërinë e Arabisë Saudite, me keqardhje ju informojmë se këtë vit kryerja e këtij farzi është anuluar si pasojë e masave të marra për shkak të pandemisë COVID-19” shkruhet në njoftimin e BFI-së.

Njoftojnë po ashtu, se nisur nga ky vendim i Arabisë Saudite, BFI si organ legjitim për organizimin e Haxhit, nuk do të kryejë asnjë procedurë për Haxhin 2020.

Ditë më parë Agjencia e Lajmeve DPA njoftoi se Arabia Saudite do të lejojë vetëm “një numër shumë të kufizuar” të njerëzve, të cilët veçmë jetojnë në këtë Mbretëri, të mund ta bëjnë haxhillëkun tradicional.

“Për shkak të situatës me pandeminë me Kovid-19 në nivel global, haxhillëku këtë vit do të mbahet me numër shumë të kufizuar të personave nga të gjitha kombësitë që jetojnë në Arabinë Saudite”, thuhet në kumtesën e Ministrisë për Haxhillëk dhe Umre.

Këtë vit Haxhi do të fillojë mbrëmjen e 28 korrikut ndërsa përfundon mbrëmjen e 2 gushtit. Zakonisht më shumë se dy milionë persona për çdo vit shkojnë në haxhillëkun tradicional në qytetin e shenjtë Mekë./TV21