Nisi debati kuvendor para Komisionit amë për Financim dhe Buxhet për Propozim-Buxhetin për vitin 2021. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, duke e arsyetuar Buxhetin, tha se ai ka tre qëllime kryesore – përforcim i financimit të sistemit për mbrojtje shëndetësore dhe ruajtje e shëndetit dhe jetën e qytetarëve, mbështetje e stabilizimit ekonomik dhe vendosje e themeleve për rikuperim të ekonomisë, si dhe financim i pandërprerë i funksioneve baze në shtet dhe mbështetje e reformave në gjyqësor dhe integrimet euro-atlantike. Nga LSDM-ja, thonë se me buxhetin e propozuar në fokus janë vënë ekonomia dhe shëndetësia. Opozita dorëzoi 528 amendamente, duke thënë se buxheti nuk është për qytetarët, por për nevojat dhe qëllimet partiake.
“Propozim-Buxheti për vitin 2021 ka tre qëllime kyçe – të sigurojë mbështetje dhe avancim në sistemin shëndetësor, para së gjithash ta mbrojë shëndeti e të gjithë qytetarëve. Ta përkrahë rikuperimin ekonomik, respektivisht t’u ndihmojë kompanive të vogla, të mesme dhe të mëdha të cilat kanë nevojë për ndihmë për t’u ballafaquar me pasojat e pandemisë. Qëllimi i tretë është të avancohen funksionet baze në shtet dhe të sigurojmë zbatim efikas të reformave të nevojshme”, theksoi Jovan Mitrevski nga LSDM.
“Ky pushtet në krye me Zaevin po krijon edhe një buxhet tjetër të madh, joreal dhe jozhvillimor. Ky Buxhet është partiak, e jo popullor dhe qytetar. Ky Buxhet tregon se LSDM-ja nuk planifikon ta ndihmojë ekonominë, nuk planifikon ta ndihmojë sektorin real dhe nuk planifikon t’u ndihmojë qytetarëve. Nuk planifikon dhe nuk di si të përballet me pasojat katastrofike nga Covid-kriza që e kaploi Republikën e Maqedonisë. Por, nga ana tjetër, e shoh se e di shumë mirë si të na fusë në borxh, edhe atë në kurriz të qytetarëve”, potencoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
