Besa nuk do t’i bashkohet koalicionit LSDM-BDI! Hoxha thotë se në zgjedhjet lokale do të dalin me kandidatët e tyre

TË FUNDIT

Zaev dhe Ahmeti zyrtarizuan mbështetjen mes LSDM-së dhe BDI-së për zgjedhjet lokale. Bashkë do të dalin në zgjedhje, ndërsa kryeministri Zaev në Facebook shkroi se kanë “qëllim të përbashkët që në koalicionin parazgjedhor të kyçen sa më shumë parti që është e mundur nga koalicioni qeveritar”.

E në mesin e këtyre partive nga të cilat Zaev pret mbështetje është edhe Lëvizja Besa, e cila në zgjedhjet parlamentare bëri koalicion parazgjedhor me socialdemokratët por tani nuk e kanë ndërmend të hyjnë në koalicionin që tashmë e lidhën Zaev e Ahmeti. Sekretari gjeneral i Besës, Arjanit Hoxha rikujton se që më herët kanë deklaruar se në lokale do të dalin me kandidatët e tyre.

“Nuk do të kisha dashur të komentoj komunikatën që kanë shkruar bashkërisht kryetari i LSDM-së dhe kryetari i BDI-së, për shkak se kjo është shumë e zgjeruar dhe nuk tregon saktësisht se për çfarë janë marrë vesh. Ne jemi parti politike serioze që kemi pjesë e qeverisë thuajse një vit dhe realisht ne i hyjmë shumë seriozisht garës në zgjedhjet lokale si parti politike dhe duam të shohim se pjesa e pushtetit që kemi bërë diferencën a do të reflektojë edhe në nivel të zgjedhjeve lokale, për të cilën ne jemi të bindur se do të reflektojë”, deklaroi Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.

Nga ana tjetër, kreu i opozitares Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, i  cili tashmë është në koalicion me Alternativën, marrëveshjen parazgjedhore Zaev-Ahmeti e sheh si frikë të kreut të integristëve për t’u përballur me opozitën shqiptare në zgjedhjet lokale.

“Përfundimisht Ali Ahmeti nuk e pranoi sfidën time që të dalin ballë për ballë në zgjedhjet lokale, ne nga njëra anë dhe ai me partitë shqiptare në anën tjetër. Siç duket ka frikë.”, tha Sela.

Ende nuk dihen detaje të koalicionit parazgjedhor mes LSDM-së dhe BDI-së, se kush kë do ta mbështesë. Kjo për shkak se në komunat më të mëdha, si socialdemokratët po ashtu edhe integristët dalin me kandidatët e tyre, si për shembull në Tetovë a Strugë. Me shumë gjasa mbështetjen e njëra-tjetrës e presin në komuna komunat më të vogla. Në njoftimin e djeshëm në Facebook, Zaev mbrëmë shkroi se në proces e sipër është zgjedhje e kandidatëve më të mirë, që siç shkruan, do të jenë figura të cilët janë të përgatitur ta japin më të mirën për qytetarët.