Për 48 orë vetëm në një klinikë në komunën e Bërvenicës janë paraqitur mbi 50 pacientë të cilët janë ankuar me dhimbje barku, të vjella, dhimbje koke dhe diarre. Këtë e konfirmoi për TV21 mjekja Liljana Smilevaka, e cila edhe vetë me fëmijët e sajë kanë qenë të infektuar. Dyshimet janë se bëhet fjalë për një baktere nga uji. Banorët të cilët janë ankuar janë nga një pjesë e Bërvenicës dhe Sellcës së Poshtme.
“Vetëm tek unë në klinikë janë paraqitur 30 pacientë këto dy ditët e fundit. Kanë dhimbje të stomakut vjedhje, diarre dhe 20 janë paraqitur edhe në telefon dhe rrjetet sociale që kanë simptoma për tu konsultuar, pasi që simptomat u kanë filluar menjëherë nga e hëna në mbrëmje me të vjella”, theksoi Liljana Smilevska – mjeke e fshatit.
Nga ndërmarrja komunale “Vardar” e cila menaxhon me ujin në këtë komunë, thonë se gjatë vikendit ata kanë ndërruar një pompë që furnizon këtë vendbanim me ujë edhe të hënën ajo është lëshuar në përdorim. Sipas drejtorit Miroslav Andrievski ata kanë ftuar edhe Institutin për Shëndet Publik dhe janë duke pritur analizat .
“Deri këtu erdh për shkak të prishjes së pompës. Çdo pompë ka orë të punës dhe kjo pompë është vendosur para 11 viteve, ndërsa është paraparë për 10 vite. Nga data 24 kemi filluar me sanimin e pompës që të hënën të marrim pjesë rezerve, por kjo tash më ndodhi dhe ne nuk kemi hapur pus të ri që të mos jetë i analizuar dhe të vijë deri tek ndotja ujit me baktere”, potencoi Miroslav Andrievski – Drejtor i NPK “Vardar”.
Komuna e Bërvenicës është komuna e vetme që me ujë të pijshëm furnizohet përmes puseve, pasi që nuk ka ujë burimor. Defektet me pompat kanë lënë banorët e kësaj komune pa ujë deri sa të dalin rezultatet për tu konstatuar nëse helmimi i banorëve ka ardhur nga uji apo ndonjë virus tjetër.
