Duhet përshpejtuar hapat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, deklaroi për TV21, ambasadorja e SHBA-vë në Maqedoninë e Veriut, Kejt Meri Bërns. Theksoi se rezultatet e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO po i shohim tani, prandaj është shumë e rëndësishme hapi i radhës, integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe gjithë Ballkanit perëndimor në BE.
“Ne mbështesim anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Edhe pse nuk jemi anëtare të BE-së, besojmë se është një interes strategjik i Maqedonisë së Veriut, rajonit, BE-së dhe madje edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne kemi thënë vazhdimisht dhe qartë se duam që anëtarësimi në BE të ecë përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Mendoj se shohim unitet dhe vendosmëri në komunitetin ndërkombëtar, midis partnerëve amerikanë dhe evropianë, dhe në komunitetin perëndimor në tërësi, për rëndësinë e shkuarjes përpara jo vetëm që ta mbrojmë sigurinë globale, po për ta përparuar agjendën tonë të përbashkët për demokracinë dhe sundimin e ligjit”, vlerëson Bërns.
Por raporti i Institutit për Demokraci “Societas Civilis” i publikuar në muajin shkurt, thotë se ka një rënie të madhe në besueshmërinë dhe ndikimin e BE-së në vend. Sipas raportit, për shkak të zhgënjimit të qytetarëve nga Bashkimi Evropian për mos hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, Marrëveshja e Prespës dhe negociatat me Bullgarinë, qytetarët shohin rrugëdalje në ndonjë aleancë tjetër.
“Hulumtimi tregon se 1/3 e popullsisë do të kishin mbështetur Unionin Euroaziatik të udhëhequr nga Putini, megjithatë tek maqedonasit kjo është më e theksuar, 45 % e maqedonasve mbështesin një union të tillë. Tek mbështetësit e partive të djathta kjo është në përqindje jashtëzakonisht të lartë mbi 60-70% shkojnë tek parti të ndryshme të djathta”, tregon Marko Troshanovski, drejtor i Institutit për Demokraci.
Sipas raportit, mendimi pozitiv për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut në 4 vitet e fundit është ulur në nivelin më të fundit, në 2019 ka qenë 44.8% , ndërsa 2021 në 9.5%.
