Duke folur me një dokumente në dorë, për të cilat thotë se janë të negociatave të Serbisë me BE-në, kryeministrja Ana Bërnabiq, shfrytëzoi fjalën e saj nga Forumi i Prespës për Dialog, për t’u ankuar se Serbisë asnjëherë zyrtarisht nuk i është kërkuar njohja e Kosovës si kusht që Serbia të mund t’i bashkohet Unionit. Duke aluduar tek deklaratat e kancelarit gjerman Sholc dhe zyrtarëve të tjerë të vendeve anëtare, përmendi se kohëve të fundit po dëgjohen deklarata se Serbia nuk mund t’i bashkohet familjes evropiane pa e njohur Kosovën. Nëse kjo është kërkesë zyrtare, atëherë Bërnabiq thotë se do të duhej të ndryshohen pozicione negociuese mes BE-së dhe Serbisë.
“Pra në pozicionet zyrtare të Bashkimit Evropian nuk ekziston as një fjalë të vetme për nevojën e njohjes së Kosovës. Thuhet normalizim dhe thuhet se kur ata i referohen Kosovës është në linjë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara duke nënkuptuar se Kosova është pjesë integruese e Serbisë dhe Këshilli i Sigurimeve të Kombeve të Bashkuara, Rezoluta 1244 flet për integritetin territorial të Republikës së Serbisë në kufijt e saj të njohura ndërkombëtarisht”- deklaroi Ana Bërnabiç, Kryeministre e Serbisë.
Në këtë panel duhej të ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por i cili e anuloi ftesën për shkak të zhvillimeve në Kosovë. Po këtu ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili kur u pyet më pas për deklaratën e Bërnabiq, theksoi se Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë zgjidhje të përhershme që nuk do të ndikonte në vendet e rajonit.
“Zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të gjendet mes dialogut të përbashkët mes dy shteteve. Ne si shtet këtë do ta respektojmë dhe atë zgjidhje dhe qëndrim që do ta arrijnë Kosova dhe Serbia duhet të kënaq të dy palët, por zgjidhja nuk duhet të ketë ndikim mbi vendet e rrethinës, siç është vendi jonë”- pohoi Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Në një panel tjetër, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë zgjidhja e vetme mes dy vendeve. Theksoi se Kosova po tregon interes dhe seriozitet në negociatat me Serbinë dhe në vazhdimësi janë duke punuar në gjetjen e zgjidhjes mes dy vendeve.
“Duke qenë fqinj i mirë me të gjithë dhe duke treguar interes në negociatat serioze me fqinjin tonë Serbinë në gjetjen e një zgjidhje që në fund mund te jetë vetëm njohja e përbashkët mes dy vendeve tona. Marrëveshja finale me Serbinë nuk do të kontribuojë vetëm në dy vendet tona, por do të kontribuojë për gjithë rajonin dhe për Evropën. Prandaj në jemi shumë serioz në gjetjen e mënyrave dhe po kontribuojmë në negociata. Jam shumë e vetëdijshme që nuk mund të fillosh me kërkesën për njohje, por kurrë nuk duhet të harrojmë se njohja është qëllimi. Pra jo duke e lënë në fund, por duke e vendosur në qendër, ashtu edhe siç tha kancelari gjerman Sholz në Prishtinë javën e kaluar se kjo gjë është e rëndësishëm që të kemi progres në rajon.”- deklaroi Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme e Kosovës.
E eurokomisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Oliver Varhejl nëpërmjet një video-paraqitjeje dërgoi porosinë se Ballkani Perëndimor i përket Evropës, ndërsa përfundoi se nga Forumi për Dialog duhet të dilet me ide për bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe tejkalim të problemeve mes shteteve.
“Është e rëndësishme të theksojmë se si Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë mundur të tejkalojnë problemin e tyre dhe të zgjidhin atë me një marrëveshje të përbashkët, presim që Bullgaria të bëj përpjekje dhe të bëj të njëjtën gjë. Jam i sigurt që diskutimi i sotshëm do të ofrojë shumë ide se si të ecim përpara së bashku”- tha Oliver Varhej, Eurokomisar për Zgjerim.
Përndryshe, në një intervistë ekskluzive për TV21, dje i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se është në organizim e sipër të një takimin në Bruksel mes kryeministrit të Kosovën, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Sipas tij takimi pritet të realizohet para pushimeve të verës. Shtoi se ajo që po merren tani është implementimi i marrëveshjeve që janë nënshkruara në të kaluarën, trajtimi i problemeve aktuale dhe formësimi i raporteve në të ardhmen mes Kosovës dhe Serbisë.
