Pasi partia Vëllezërit e Italisë e drejtuar nga Giorgia Meloni fitoi numrin më të madh të votave në zgjedhjet parlamentare në Itali, në këtë vend pasuan konsultimet lidhur me formimin e qeverisë dhe një nga pjesëmarrësit në këtë proces është edhe Silvio Berlusconi.
Themeluesi i partisë Forza Italia, së bashku me partitë Vëllezërit e Italisë dhe Liga, pritet të formojnë qeverinë e re italiane, të cilën shumë e konsiderojnë si më të djathtën që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Në një intervistë për La Stampa, Berlusconi sqaroi se deri më tani kishte zhvilluar bisedime me Melonin dhe Matteo Salvinin. Megjithatë, ai nuk ka dashur të zbulojë detajet e takimit.
“Nuk i kam zbuluar asnjëherë bisedat e mia private me zonja. Është një rregull i vjetër dhe nuk do të bëj përjashtim as tani që zonja Meloni me siguri do të bëhet kryeministrja e re e vendit”, ka thënë Berlusconi.
Një nga pyetjet që Berlusconi iu përgjigj kishte të bënte me marrëdhëniet e Italisë me Rusinë dhe kreu i partisë Forza Italia dha një përgjigje interesante.
“Ne duhet të kemi të njëjtin qëndrim ndaj Rusisë si qeveria e mëparshme. Megjithatë, do të shtoja se kur të lejojnë rrethanat, unë do të jem i pari që do të insistoj për një zgjidhje diplomatike. Unë e konsideroj luftën të patolerueshme dhe çmendurinë e çdo çmendurie. Megjithatë, një zgjidhje diplomatike nënkupton unitetin absolut të Perëndimit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të mendohet për sakrifikimin e lirisë dhe të drejtave të popullit ukrainas”, përfundoi Berlusconi.
