Kryetari i Partisë Demokratike në Shqiprëi, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me rrëzimin e qeverisë së Dritan Abazoviq në Malin e Zi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se Abazoviq bëri historinë duke u bërë kryeministri i parë shqiptar i Malit të Zi, por theksoi se atij i peshoi më shumë bishti sesa koka, ku shtoi se marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe ishte fatale për ecurinë e tij politike.
Sipas Berishës, Abazoviq gaboi duke u rreshtuar në krah të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit Edi Rama për Ballkanin e Hapur.
Ndër të tjera, kryedemokrati nënvizoi se Abazoviq nuk duhet të dëshmohet serb më shumë se serbët, pasi edhe ata treguan se nuk e duan në krye të qeverisë.
Pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi votoi në orët e para të mëngjesit mosbesimin ndaj qeverisë së Dritan Abazoviqit.
Qeveria është rrëzuar me 50 vota pro dhe një kundër. Pas këtij vendimi Abazoviq do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
