Analisti Valon Bela në paraqitjen e tij në ClickPlus ka komentuar deklaratat e koalicionit qeveritar në lidhje me fotografinë që u publikua pas mbledhjes së nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë. Bela thotë se të njëjtit që e quajtën atë fotografi “fashiste”, sot tentojnë të pranojnë në Qeveri nënshkrues të nismës për rrëzim të Qeverisë.
“Nëse partnerët e koalicionit aktual, gjegjësisht Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare e quajtën madje edhe koalicion fashist atë fotografinë, tash një prej fashistëve iu bashkëngjitet atje, është qesharake se si do e arsyetojnë”, theksoi Bela.
Bela thekson se Alternativa e ka të vështirë të arsyetojë hyrjen në Qeveri, pasi para një muaji nënshkroi nismë për rrëzimin e po kësaj Qeverie.
“Shumë e dhimbshme është se tash Altenativës askush nuk do i besojë. I kemi deklaratat paraprake të cilat ata do të duhet t’i gëlltisin ose do të duhet të japin sqarime ose kërkim falje”, tha Bela.
