Në përpjekje për të gjetur gaz natyror me çmim më të lirë, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi bashkë me drejtorin e Elektranave të Maqedonisë, Vasko Kovaçevski, si dhe me këshilltarin e kryeministrit për energjetikë Viktor Andonovin, do të zhvillojnë takim më njërën nga kompanitë të cilën e propozoi kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ministri Bekteshi për “TV Sitel” tha se Maqedonia i ka dorëzuar informacionet për sasitë dhe nevojat, ndërsa sot pret që të ketë ofertë të detajuar nga kompania.
“Që të përgatit takimi, nga ana jonë janë dërguar sasitë dhe nevoja e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë edhe nevojat e TE-TO që prodhon energji elektrike, njëkohësisht prodhon edhe energji termike. Bëhet fjalë për një kompani të regjistruar në Evropë. Takimi nuk do të jetë në Shkup, por jashtë Maqedonisë së Veriut. Kuptohet se ne do të kthehemi nesër dhe opinioni do të informohet në mënyrë transparente për ofertën dhe se si kanë shkuar negociatat”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Mickoski ditë më parë deklaroi se nga këto kompani çmimi do të jetë 2 herë më i lirë se ai që është në bursë. Nga ana tjetër Shtabi i krizës në kuadër të Odës Ekonomike dje deklaroi se bizneset presin mbështetje nga Qeveria për të mbijetuar, që të mos ketë reduktim të punëtoreve e as të prodhimit.
“Nga kompanitë e anketuara që janë mbi 20, një pjesë e madhe e tyre thanë se nga viti i ardhshëm paqartësia është edhe më e madhe dhe nëse vazhdohet më krizë të tillë dhe nëse nuk kanë mbështetje sipas pritjeve të tyre do të pasojë 30-50% ulje të punësuarve, gjë që askush nuk e dëshiron”, tha Jelisavet Georgieva Jovevska, nënkryetare e Odës Ekonomike.
Takimi me kompaninë tjetër për furnizim me mazut është paralajmëruar për gjatë fundjavës. Ndërkaq dje në Këshillin Ekonomik të Qeverisë nuk u miratuan masa konkrete, edhe pse biznesi priste shumë nga mbledhja. Tani pritet që të mërkurën të ketë pako të re masash, ndërsa është planifikuar edhe takim i ri mes autoriteteve, biznesmenëve, sindikalistëve dhe ekspertëve.
