Bekteshi–Donmez: Bashkëpunim i thelluar në energjetikë mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut dhe Turqia do të nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në fushën e energjetikës që do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen në fushën e gazifikimit të vendit.

Siç kumtojnë nga Ministria e Ekonomisë, kjo u dakordua mes ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe homologut të tij turk, Fatih Donmez në një takim dypalësh në kuadër të Takimit të Tetë Ministror të Këshillit Këshilldhënës të Korridorit Jugor të Gazit, në Baku të Azerbajxhanit.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i SH.A. “Resurset Energjetike Nacionale”, Bajram Rexhepi, të dy ministrat diskutuan drejtimet e mundshme për zhvillim në fushën e energjetikës, duke marrë parasysh zhvillimet e politikave energjetike në botë dhe Evropë, si dhe krizën energjetike.

“Ministri informoi se dy kompani turke janë në garë për përzgjedhjen kompanisë që do të ndërtojë rrjetin e shpërndarjes së gazit në vend me partneritet publik-privat. Procesi është në fazën përfundimtare dhe deri në fund të vitit duhet të përzgjedhet një kompani”, thuhet në kumtesë.

Dy ministrat u pajtuan se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm tradicional në fushën e ekonomisë me shpresë që në të ardhmen ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë.

Në kuadër të takimit ministror në Baku, përveç ministrit të Energjetikës së Turqisë, ministri Bekteshi pati një takim joformal edhe me ministrin e Energjisë së Republikës së Bullgarisë, Aleksandër Nikolov.

Dy ministrat shkëmbyen mendime për realizimin e projekteve të përbashkëta energjetike, para së gjithash për lidhjen interkonektive të gazit të Petriçit dhe Strumicës, si pjesë e procesit të thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve fqinje.

“Në Baku, ministri Bekteshi kishte takim joformal edhe me Komisioneren Evropiane për Energjetikë, Kadri Simpson, me të cilën biseduan për planet dhe investimet për zhvillimin e sektorit energjetik në Maqedoninë e Veriut, në radhë të parë për investime në lidhje me gazin në rajon”, shtohet më tej në kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë.