Bekteshi apelon për kursim maksimal të rrymës! Thërret opozitën që ta mbështes shpalljen e gjendjes së krizës energjetike

TË FUNDIT

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi apelon që të kursehet rrymë sa më shumë që është e mundur, me qëllim që sa më lehtë ta kalojmë periudhën e dimrit. I bëri thirrje edhe opozitës që të jenë konstruktivë dhe të mundësojnë shpalljen e gjendjes së krizës energjetike me qëllim që të zbatohen masat antikrizë.

 “Kuptohet se edhe opozita duhet që të kyçet. Unë i kam thirrur disa herë  edhe z. Mickoskin dhe përfaqësuesit e opozitës, nëse duan ne mund të shkojmë edhe tek ata që t’ia shpjegojmë situatën edhe pse ata e dinë, por duan të fitojnë pikë politikë. Nëse jo, edhe në Kuvend mund të diskutojmë për çështje të tilla, d.m.th. këto vendimet nuk merren për asgjë tjetër pos që të mund të ju dalim në ndihmë industrisë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kryetari i Eletkranave të Maqedonisë Veriore, Vasko Kovaçevski, thotë se për momentin nuk ka nevojë që të blihet energji elektrike, sepse EMV 100% i përmbush nevojat për rrymë të “EVN Home” dhe “MEPSO”. Shtoi se për momentin vendi po furnizohet me qymyr me çmimin më të lirë në rajon.

“Me shumë përgjegjësi mund të pohoj se ne si vend aktualisht blejmë qymyrin me çmimin më të ulët në rajon. Çmimi mesatar varion nga 55 deri në 62 euro për ton. Nëse hapni sot bursat, do të shihni se çmimet variojnë nga 90, 100 deri në 120 euro për ton. Prandaj thash që qymyrin e blejmë me çmime më të ulëta se të gjitha vendet tjera. E blejmë nga Greqia dhe Shqipëria, gjatë kësaj jave do të kemi takim edhe me kolegët nga Kosova, që të kemi mundësi shtesë për blerje edhe nga Kosova”, tha Vasko Kovaçevski, drejtor i EMV-së.

Për momentin çdo megavat i instaluar i rrymës është i vlefshëm si floriri dhe shumë i rëndësishëm në sistemin e energjisë deklaroi Koço Angjushev, kryetar i Asociacionit energjetik të Maqedonisë. Përderisa foli edhe për kërkesat që i kanë si shoqatë.

“Qeveria nëpërmjet kompanive të saj, para së gjithash MEPSO dhe nëpërmjet takimeve të rregullta me qeverinë e Serbisë dhe Bullgarisë të komunikojë që gjatë dimrit të mos mbyllen kufijtë për importin e energjisë elektrike”, theksoi Koço Angjushev, kryetar i Asociacionit Energjetik të Maqedonisë.

Si Asociacion Energjetik kërkojnë gjithashtu që të rritet prodhimi vendor i energjisë elektrike duke i përdorur të gjitha resurset e mundshme, ndërsa Qeveria ta kthejë Dekretin aktiv në situatën e krizës, me të cilin e gjithë energjia e prodhuar nga zgjedhjet e ripërtërira t’i drejtohet vetëm industrisë.