Kompania Bechtel Enka e cila do të ndërtojë Korridorin 8, ka ndërtuar edhe Rrugën e Kombit, apo autostradën që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe autostradën Arbën Xhaferi, ose rrugën Prishtinë-Hani i Elezit. Kështu duket harta me projektet që ka realizuar kjo kompani turko-amerikane, të cilat janë të shënuara me ngjyrë të kaltër. Sa i përket rajonit tonë, Bechtel Enka ka projektuar dhe ndërtuar edhe Autostradën 112 km të Korridorit të Moravës, i cili lidh Serbinë qendrore dhe Korridoret Pan-Europiane 10 dhe 11. E po ashtu së fundmi Bechtel ka ndërmarrë përsipër edhe ndërtimin e pjesës malazeze të autostradës Adriatik-Jon.
Ambasadorja e ShBA-së në vend Angela Aggeler beson që edhe ndërtimi i Korridorit 8 do të realizohet suksesshëm dhe shpejt, sikurse projektet e lartpërmendura.
“Dua të falënderoj Qeverinë e RMV-së dhe përfaqësues të tjerë si dhe Bechtel Enkën dhe ekipet e tyre, për punën e palodhshme, që finalizuan marrëveshjet e nevojshme për të nisur këtë projekt për këtë rrugë të rëndësishme. Besoj se ndërtimi do të realizohet shpejtë dhe me sukses duke sjell njerëzit e rajonin sa më afër dhe më shpejtë dhe më rehat pran njëri-tjetrit me këtë rrugë moderne”, tha Angela Price Aggeler – ambasadore e SHBA në vend.
Oda Ekonomike pret që realizimi i këtyre projekteve infrastrukturore të finalizohet brenda afateve të përcaktuara. Nga kjo Odë kanë theksuar se një parakusht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi është infrastruktura ekonomike, e cila ndikon në mundësitë e biznesit, por edhe në atraktivitetin e përgjithshëm të vendit për punë dhe investime.
“Duam ta motivojmë Qeverinë që të fokusohet më shumë në infrastrukturë në të gjitha nivelet. Presim që kompanitë vendore të ndërtimit, siç ka paralajmëruar Qeveria e RMV-së, të përfshihen maksimalisht në aktivitetet e ndërtimit të korridoreve, që do të realizohen në periudhën e ardhshme, sepse është e një rëndësie të veçantë për ringjalljen e ndërtimtarisë si një ekonomi e rëndësishme, degë që stimulon shumë aktivitete të tjera të ndërlidhura dhe mund të ndikojë në rritjen e aktivitetit ekonomik në vend”, thonë nga Oda Ekonomike .
Dje në Tetovë u vendos gurthemeli i Korridorit 8 nga ku fillon edhe aksi i parë i kësaj autostrade që të çon deri në Gostivar dhe në total është i gjatë 17.5 kilometra. I tërë projekti që realizohet nga Bechtel Enka do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, i cili duhet të shtrihet nga Tetova deri në Qafëthane. Gjithë korridori 8 së bashku me atë 10D në tërësi janë 110 kilometra autostradë, që pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027, pra për 4 vite e 7 muaj.
