BE-ja paralajmëron se kriza do të zgjasë gjatë: S’ka kthim në normalitet-punë nga shtëpia atje ku është e mundur!

TË FUNDIT

Puna nga shtëpia, në sektorët ku është e mundur, ulja e kufizimit të shpejtësisë në autostrada për 10 km/orë, sistemi tek-çift për automjetet, nxitja e përdorimit të transportit publik dhe ndarja e udhëtimit me automjete private. Këto janë disa nga masat që Komisioni Evropian ka përgatitur dhe që do t’i dërgojë vendeve anëtare si pjesë e rekomandimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji. Komisioni Evropian e bën këtë për t’u përballur me krizën e naftës dhe energjisë të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme. Edhe nëse nesër arrihet paqe, pasojat do të ndihen për një kohë të gjatë, thonë nga atje.

“Askush nuk e di sa do të zgjasë kriza, por mendoj se është shumë e rëndësishme të theksohet se ajo nuk do të jetë e shkurtër, sepse edhe nëse nesër ka paqe, pasojat do të mbeten, pasi infrastruktura energjetike në rajon është shkatërruar nga lufta dhe ende vazhdon të shkatërrohet”, tha Den Jorgensen– komisioner për energji.

Çmimi i gazit në BE që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme është rritur për rreth 70 për qind, ndërsa ai i naftës për 60 për qind. Vetëm për një muaj, për importin e lëndëve djegëse fosile janë shpenzuar shtesë 14 miliardë euro.

Por, ndryshe nga fillimi i javës kur nafta e tipit Brent në bursat botërore arriti 115 dollarë për fuçi, sot është shënuar rënie dhe sillet rreth 100 dollarë. E gjithë kjo vjen pas deklaratës së Trump se SHBA do të tërhiqen nga Irani brenda dy deri në tre javësh.

 “Mendoj se për dy ose tre javë do të largohemi. Sepse nuk ka arsye të qëndrojmë këtu. Shikoni, problemi me Ngushticën e Hormuzit është se dikush mund të vendosë një minë, ta hedhë në ujë dhe të thotë: Oh, nuk është e sigurt. Nuk është sikur të nxjerrësh një ushtri të tërë apo një shtet të tërë, mund ta hedhin thjesht. Ose mund të marrësh mitralozin nga bregu dhe të qëllosh disa plumba drejt anijes. Ose ndoshta raketa të vogla nga krahët. Kjo nuk është për ne, kjo do të jetë për Francën, ose për këdo që e përdor Ngushticën. Por mendoj se kur të largohemi, ndoshta gjithçka do të jetë e zgjidhur”, u shpreh Donald Trump – president i SHBA-së .

Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit filluan më 26 shkurt. Si përgjigje, Irani e mbylli Ngushticën e Hormuzit, për shkak të së cilës mbetën të bllokuara mijëra tankerë, kryesisht me naftë, por edhe me produkte të tjera. Kjo shkaktoi një krizë që ndihet në të gjithë botën.