LSDM kërkon të publikohet nëse janë kryer analizat e ujit të pijshëm në Gostivar dhe pse ato deri tani nuk janë bërë publike. Sipas tyre, nuk ka asnjë institucion apo person përgjegjës që qëndron pas konstatimit për rregullsinë e ujit dhe deri më tani nuk është publikuar asnjë dokument i vlefshëm që konfirmon se uji është i sigurt për qytetarët. Rezultatet e para për të përcaktuar nëse uji është i përshtatshëm për pije ishin paralajmëruar për 20 gusht, por gjashtë ditë më herët, përkatësisht një ditë para kthimit të Mickoskit nga udhëtimi, u njoftua se uji është i sigurt, edhe pse për këtë nuk është publikuar asnjë analizë, thonë nga opozitarja LSDM.
“LSDM prej ditësh publikisht kërkon nga Qeveria e Mickoskit që të publikojë dokumentin zyrtar, analizën apo rezultatin që konfirmon se uji në Gostivar është i sigurt për pije. Pyetja është pse fshihet dokumenti zyrtar për ujin në Gostivar? Pse nuk publikohet? Cili institucion e ka bërë analizën e ujit dhe cilat janë rezultatet? Kush e ka nënshkruar raportin dhe kush, me nënshkrimin e tij, garanton se uji është i sigurt? Cili institucion e ka bërë analizën e ujit dhe cilat janë rezultatet? Kush e ka nënshkruar raportin dhe kush, me nënshkrimin e tij, garanton se uji është i sigurt?”, tha Maja Borozan – LSDM.
Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se LSDM vazhdon të përhapë panik të panevojshëm te qytetarët.
“Për ujin në Shkup u publikuan pretendime, të cilat institucionet kompetente i demantuan menjëherë. Sa i përket Gostivarit, analizat e fundit treguan se uji sërish është i sigurt për pije. Në vend që këto informacione të përshëndeten, LSDM vazhdon me përpjekjet për të krijuar dyshime. Pyetja është e thjeshtë: pse LSDM-së i pengon kur institucionet tregojnë se sistemi funksionon dhe se problemi është zgjidhur?”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Dje, kryeministri Mickoski deklaroi se ai këmbëngul që të publikohet raporti që konfirmon se uji në Gostivar është i sigurt për pije. Tre ditë më parë u njoftua se qytetarët mund ta përdorin ujin e Gostivarit për nevojat e tyre, ndërsa disa zyrtarë, para kamerave, pinë ujë nga çezma në qytet.
