Bashkimi Evropian është zotuar të premten që t’ia sigurojë Bjellorusisë 3 miliardë euro nëpërmjet granteve dhe huave po qe se vendi “ndryshon shtegun” në një përpjekje të qartë për ta thelluar presionin e brendshëm ndaj presidentit Alexader Lukashenko në ditën që ai takoi në Moskë homologun dhe aleatin rus, Vladimir Putin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kësisoj ka bërë thirrje të hapur për ndryshim regjimi në vend, teksa është zotuar për ofrimin e fondeve në këmbim të “transicionit” në demokraci.
“Mesazhet tona janë të dyfishta. Popullit të Bjellorusisë: ne po i shohim dhe po i dëgjojmë dëshirat tuaja për ndryshim, për demokraci dhe për një të ardhme të ndritur”, ka theksuar ajo. “Dhe për autoritetet bjelloruse themi: asnjë shkallë e represionit, brutalitetit apo detyrimit nuk do t’i sjellë legjitimitet regjimit tuaj autoritar. Deri më tani keni injoruar haptazi zgjedhjen demokratike të popullit bjellorus. Ka ardhur koha për ndryshim të shtegut. Kur – dhe ne besojmë se puna është se kur e jo nëse – Bjellorusia ta nisë transicionin e saj paqësor demokratik, BE-ja do të jetë aty për ta shoqëruar”.
Oferta është adresuar pak kohë para se Lukashenko të arrinte në Sochi të Rusisë të premten për një samit me presidentin rus, Qeveria e të cilit është distancuar nga arrestimi i gazetarit opozitar, Roman Protasevich, dhe të dashurës së tij ruse, Sofia Sapega, gjatë të dielës, raporton AP./Koha.net
