BE i bëri thirrje Turqisë që të jetë konstruktive në zgjidhjen e kontestit në Mesdheun Lindor

TË FUNDIT

Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishell paralajmëroi mbrëmë se të gjitha “opsionet mbeten në tryezë” në mbrotjen e interesave të Bashkimit Evropian (BE) nëse Turqia nuk është konstruktive në zgjidhjen e kontestit në pjesën lindore të Detit Mesdhe.

Greqia, anëtare e BE-së dhe Turqia, partner i Greqisë në NATO, aktualisht kanë kontest për caktimin e një zone të kërkimit të gazit në Mesdheun Lindor. Çështja do të diskutohet në samitin e BE-së në Bruksel të enjten dhe të premten.

Në ftesën për samitin, Mishel informoi se darka e liderëve të BE-së të enjten në mbrëmje do t’i kushtohet ekskluzivisht situatës në Mesdheun Lindor dhe marrëdhënieve me Turqinë.

Qëllimi ynë është të krijojmë hapësirë ​​për dialog konstruktiv me Turqinë në mënyrë që të arrihet stabilitet dhe siguri në të gjithë rajonin dhe të garantohet respektimi i plotë i sovranitetit dhe të drejtave sovrane të të gjitha vendeve anëtare të BE-së”, theksoi Mishel në letër.

Kryetari i Këshillit Evropian shtoi se kjo është e mundur vetëm nëse Turqia është konstruktive.

“Të gjitha opsionet mbeten në tryezë për mbrojtje të interesave legjitime të BE-së dhe anëtarëve të saj,” shtoi Mishel.

Përveç Mesdheut Lindor, samiti i BE-së do të përqendrohet në situatën në Bjellorusi, helmimin e liderit rus të opozitës Aleksej Navalni dhe situatën në rajonin e Nagorno-Karabahut, ku po përleshen forcat e sigurisë së Azerbajxhanit dhe Armenisë./MIA