Të shtunën BDI do të del në terren për të takuar qytetarët, por do të jetë e ndarë në dy pjesë. Kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti do të shkojë në Çegran të Gostivarit, ndërsa “grupi i zjarrit” do të takojë strukturat e degës së Manastirit, për të dëgjuar, siç thonë, zërin e tyre.
Të pakënaqurit e BDI-së në takimin e kaluar në Studeniçan thanë se nuk mund të pranojnë që për çdo gjë të vendos Artan Grubi.
“Nuk jemi të interesuar të jemi pjesë e ekzekutivit. Vetëm kërkojmë që të respektohet meritokracia, të respektohet baza dhe jo të bëhet pjesë ekskluzive vendimmarrja e Artan Grubit dhe klanit të tij”, deklaroi Blerim Bexheti, sekretar organizativ BDI.
E pikërisht në të njëjtën ditë, zëvendëskryeministri Artan Grubi, postoi një video të liderit Ahmeti duke pi cigare e duke kënduar.
Mbrëmë Ahmeti pas takimit të liderëve në Tiranë u pyet nëse është keqpërdorur video e tij. Ai u përgjigj shkurt, duke thënë se asnjëherë nuk është shfaqur duke qarë, por vetëm duke qeshur dhe në uniformë.
“E mira është se asnjëherë nuk më kenë parë duke qarë, por më keni parë në uniformë dhe duke kënduar”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Porositë përmes videove me këngë nuk përfundon me këngën e Keq Hysenit kënduar nga Ahmeti. Sot Zëvendëskryeministri Artan Grubi në TikTok ka shpërndarë pamje nga ecja e djeshme me kreun e BDI-së Ali Ahmeti në rrugët e Tiranës, deri sa po shkonin në takimin e liderëve shqiptar. Në prapavijën e videos, Grubi ka vendosur këngën e Ledri Vulës dhe Mc Kreshës – Gjiganta.
