BDI: VLEN u demantua nga Presidenca e Kosovës. VLEN: Autoritetet kosovare shprehën dyshim se incidenti është provokuar

TË FUNDIT

Opozitarja Bashkimi Demokratik për integrim përmes një reagimi me shkrim thotë se komunikata e e presidencës kosovare i zbuloi të gjitha, siç i quajnë, gënjeshtrat infantile të vasalëve puthadorë dhe shërbëtorë nga VLEN-i për ta heshtur dhe minimizuar skandalin më të madh diplomatik në historinë e vendit.

“Të gjithë eksponentët e Vlen kishin nga një skenar arsyetues, ndryshe nga njëri-tjetri, dhe që të gjithë u demantuan nga Presidenca e Kosovës, nga MPB dhe nga koncesioneri TAV. Ky skandal, medoemos duhet zbardhur gjer në fund dhe përgjegjësi politike duhet të bartin menjëherë uzurpatorët jolegjitim të institucioneve Astrit Iseni nga MPB dhe Afrim Gashi nga Kuvendi. Sjellja e egër dhe e palejueshme e shefit të sigurimit të kryetarit jolegjitim të Kuvendit me urdhër të Afrim Gashit, si dhe injoranca institucionale e Astrit Isenit i cili as që e dinte për skandalin, janë të papranueshme”, thonë nga BDI.

U kundërpërgjigj koalicioni qeveritar VLEN. Thonë se BDI-ja përpiqet ta manipulojë opinionin. Sipas VLEN-it, autoritetet kosovare qartë dhe pa mëdyshje shprehën dyshimin se incidenti është provokuar qëllimisht me synimin për të përkeqësuar marrëdhëniet bilaterale me Kosovën.

“Meqenëse BDI-ja dërgon komunikata paniku, ndërsa ne nuk duam të pengojmë hetimin, sot do të shtrojmë dy pyetje për opozitën BDI:

-Cili punonjës i aeroportit, që publikon fotografi në rrjetet sociale me personin A.G., është shfaqur në vendin e incidentit dhe me çfarë qëllimesh dhe arsyesh?

-Sa krime kanë bërë ish-funksionarët e BDI-së kur në mënyrë kaq poshtër përpiqeni të përfshini Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në përpjekje për të krijuar tensione për të bërë shqiptarët pengje për t’i shpëtuar përgjegjësisë gjyqësore?

Kjo nuk ju kalon, po vjen koha për të vërtetën, turpi juaj do të jetë i madh!”, thonë nga VLEN.

Edhe opozitarja LSDM doli me një komunikatë ku tha se pret që sa më shpejt MPB-ja dhe kontrolli i brendshëm të dalin me informata të detajuara se çfarë ka ndodhur saktësisht në aeroportin e Shkupit dhe se cili ishte roli i personave nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi. Nëse MPB nuk e bën këtë, sipas LSDM-së, do të jetë një konfirmim i qartë se faktet po fshihen për të mbrojtur marrëdhëniet mes koalicionit. “LSDM ka informacione të plota se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe nëse MPB-ja tenton të ndryshojë faktet, gjithçka do të publikohet”, shkruhet në reagimin e socialdemokratëve.