Opozitarja BDI për të tretën ditë me radhë vazhdoi të kërkojë përgjigje nga Drejtori i MEPSO-s Burim Latifi lidhur me, siç thonë integristët, dëmin prej rreth 6 milionë eurosh që i ka shkaktuar shtetit. BDI po ashtu pyet se pse për të njëjtën çështje është lidhur kontratë me një kompani tjetër nga Banja Luka, për të cilën ekzistojnë dyshime për afërsi me struktura politike nga Republika Sërpska dhe Millorad Dodikun. Nëse këto pretendime janë të sakta, atëherë, sipas partisë opozitare, lindin dilema serioze për procesin e përzgjedhjes dhe për interesin publik që është ndjekur.
“BDI vlerëson se Burim Latifi ka për obligim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të shpjegojë:
• pse është prishur kontrata me kompaninë e parë,
• mbi çfarë baze është lidhur kontrata e re me një kompani të afërt me Millorad Dodikun,
• dhe si ka ardhur deri te dëmi financiar prej miliona eurosh”, thotë BDI.
Në fakt, MEPSO që pardje iu kundërpërgjigj akuzave, duke thënë se procedura për përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e linjës interkonektive Maqedoni-Shqipëri është zhvilluar në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, rregullat BERZH-it dhe legjislacionin vendas, nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë dhe me transparencë të plotë.
“Përzgjedhja bëhet sipas procedurave të BERZH. Në këtë proces, ne si investitor kemi vetëm një rol: të vlerësojmë referencat dhe performancat e kompanive, pa asnjë subjektivizëm apo ndikim. Fatmirësisht, në këtë projekt kemi një kompani kroate të dëshmuar, si në rajon ashtu edhe në Evropë e më gjerë, që përbën garanci për realizimin e suksesshëm të projektit. Në kuadër të procedurës së re, kompania e përzgjedhur Dalekovod d.d., si bartëse e konsorciumit, përfaqëson një nga subjektet më të njohura rajonale dhe evropiane në fushën e infrastrukturës elektroenergjetike”, thotë MEPSO.
Me reagim ndaj komunikatës së sotme të BDI-së doli edhe koalicioni VLEN, duke thënë se mbrojtja e projektit të linjës interkonektive është kontradiktore, pasi edhe vetë kuadro të BDI-së në MEPSO më herët kanë kërkuar ndërprerjen e kontratës për shkak të mosfunksionimit dhe realizimit minimal. Sipas VLEN-it, projekti ka pasur vetëm rreth 4% realizim për pesë vite dhe i ka shkaktuar shtetit kosto të mëdha financiare, ndërsa vendimi për ndërprerje bazohet në analiza profesionale dhe jo në motive politike.
“Pavarësisht kësaj, BDI sot përpiqet të krijojë panik me shifra dhe konstrukte. Pyetja që BDI nuk e shtron është më e rëndësishmja:
• Pse në kohën e BDI-së nuk u ndërtua ky projekt për lidhjen me Shqipërinë?
• Kush kishte interes që projekti të qëndronte në vend, ndërsa paratë të vjeleshin? Nefiu nga Ohri? Kreu i BDI-së?
• Kush përfitoi ndërkohë që paguheshin kamata dhe kërkoheshin anekse? Po ata të njëjtët?”, deklaroi VLEN.
E pas këtyre pyetjeve, nga VLEN thonë se përgjigjja është e qartë, pasi sipas tyre, BDI mbron një sistem që ka lejuar që një projekt të qëndrojë me vite në vend, ndërsa krijoheshin kosto financiare, prandaj “shqetësimi” i tyre është në fakt panik sepse sistemi po ndryshon. Përfundojnë duke thënë se BDI mund të bëjë pyetje sa të dojë, por përgjigjet çojnë drejtpërdrejt tek ata.
