S’kemi mjekë? S’ka problem! Kontrollohu me video call

TË FUNDIT

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka deklaruar se telemjekësia do të jetë një nga shtyllat kryesore për përmirësimin e sistemit shëndetësor, që siç tha, synon të adresojë mungesën e mjekëve dhe të rrisë cilësinë e shërbimeve.

Aliu tha se një rol të rëndësishëm do ta kenë mjekët nga diaspora, të cilët mund të kontribuojnë në distancë ndërkohë që bëri të ditur se shumë profesionistë jashtë vendit kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar, madje edhe pa kompensim.

Projekti tashmë ka hyrë në fazën fillestare të zbatimit. Telemjekësia është pilotuar në dy qytete, në Dibër dhe në Dellçevë, ku shërbimet shëndetësore ofrohen nga distanca nga kryeqyteti, Shkupi.

“Sot kemi një numër të madh mjekësh në diasporë që janë specialistë shumë të mirë, performojnë në nivele të larta dhe janë të respektuar në vendet ku punojnë. Ne nuk duam që ky kapacitet njerëzor të mbetet i pashfrytëzuar. Faza e parë është pilotimi, ndërsa faza e dytë do të fokusohet në standardizimin e procedurave të telemjekësisë, me qëllim që sistemi të zgjerohet dhe të përfshijë edhe mjekët që punojnë jashtë vendit”, deklaroi Azir Aliu.