BDI: Qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve! Të rriten pagat për 3500 denarë dhe të aktivizohen rezervat shtetërore të naftës

TË FUNDIT

BDI thotë se qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë dhe të derivateve të naftës, ndërrkohë që Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të lehtësuar presionin mbi buxhetet familjare.

Sipas tyre, nga dita e hënë pritet një rritje e re e çmimeve të derivateve të naftës, e cila pritet të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e transportit, të ushqimit dhe të shërbimeve, duke rritur më tej koston e jetesës për qytetarët dhe bizneset.

Nga BDI vlerësojnë se në një situatë të tillë institucionet duhet të reagojnë me masa konkrete për stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve.

Si masa të menjëhershme, nga kjo parti propozojnë:

  • rritje lineare të pagave prej 3.500 denarë, duke filluar me pagat e muajit mars;
  • ngrirje të përkohshme të çmimeve për produktet bazë ushqimore;
  • aktivizimin e rezervave shtetërore të naftës, të cilat janë blerë me çmim më të ulët se 70 denarë për litër;
  • vauçer prej 3.000 denarësh për punonjësit që punojnë jashtë vendbanimit të tyre, për të kompensuar rritjen e kostos së transportit.

Nga BDI theksojnë se këto masa mund të ndërmerren menjëherë nëse ekziston vullnet institucional dhe se qytetarët kanë nevojë për reagim të shpejtë përballë rritjes së çmimeve.