BDI e mbështet shtyrjen e regjistrimit për shkak të situatës shëndetësore, kështu mbrëmë u deklarua deputeti i BDI-së Bajram Kadrija në emisionin Click Plus. Ai tha se regjistrimi do të fillojë në shtator pasi kjo është e pranueshme për të gjitha partitë politike.
“Për shkak të situatës shëndetësore, për shkak të kredibiletit të procesit që asnjë palë të mos e kontestoj këtë proces, jemi pro një zgjidhje që do të jetë e kapshme për të gjithë. Duhet të vazhdohet me diasporën dhe duhet të shohim a është i mjaftueshëm 21 ditëshi”, pohoi Bajram Kadrija, deputet i BDI-së.
Ndërkohë Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa tha se shtyrja e regjistrimit nuk është në favor të shqiptarëve.
“Dëshiroj t’i përgëzoj të gjithë shqiptarët për fitoren e madhe që është arritur. Nuk ka shtyrje as anulim të regjistrimit me ligj. Kishte afat që të shtyhet por fal opozitës shqiptare, gjegjësisht Aleancës dhe Alternativës nuk është arritur të formohet formulë antishqiptare”, tha Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.
Ndryshe deri më tani janë regjistruar 177,875 persona nga diaspora përmes aplikimit për vetë-regjistrim, njoftoi Enti për Statistikë. Shumica e shtetasve të vetëregjistruar janë nga Zvicra – 58 067, Gjermania – 40 400 dhe Italia – 25 618. Në Shtetet e Bashkuara janë të regjistruar 7,484 shtetas, 2,227 në Australi dhe 1,591 në Kanada. Sipas marrëveshjes politike për shtyrjen e regjistrimit, vetë-regjistrimi i qytetarëve nga diaspora do të vazhdojë deri më 30 shtator të këtij viti.
