BDI: Po ta kishte mbiemrin Spasovski, Arben Zyberi nuk do të shkarkohej!

TË FUNDIT

“Arbeni nuk do shkarkohej nëse do ta kishte mbiemrin Spasovski!”. Me këto fjalë edhe sot Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar me reagime për shkarkimin e Drejtorit të Qendrës për Shëndet Publik në Shkup, Arben Zyberit, nga ana e Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe.

Integristët shkarkimin e kuadrit të tyre e quajnë “veprim të turpshëm të hakmarrjes politike dhe urrejtjes latente ndaj shqiptarëve”. Shkruajnë se Zyberi i ka shërbyer vendit dhe qytetarëve me besnikëri e përkushtim dhe se ka luajtur një rol të madh në menaxhimin e krizës së koronës.

“Arsyeja e shkarkimit të tij është më se e qartë, pasi ajo ndodhi menjëherë pasi xhaxhai i Arben Ziberit pranoi të ishte kandidati për Kryeministër. Prekja e familjes së kandidatit të parë shqiptar për Kryeministër është një turp dhe një veprim i papranueshëm. Gjithashtu tregon mendësinë e partive maqedonase, që sipas tyre pushteti u takon vetëm maqedonasve dhe shqiptarët nuk kanë të drejtë ta kërkojnë Kryeministrin” shkruajnë nga BDI.

Nga kjo parti po ashtu vlerësojnë se shkarkimi është një veprim i qartë kundër lirisë së fjalës dhe një akt diskriminimi, pasi siç shtojnë, deri më tani asnjë nuk është pushuar nga qeveria për shprehjen e mendimit të tij në Facebook.

“Pa gjykuar aspak mbi përmbajtjen e postimit të Zyberit, të gjithë e dinë se nëse kjo do të ishte arsyeja e vërtetë, gjysma e ministrave të LSDM-së, përfshirë ish-kryeministrin Zaev, do të duhej të ishin pushuar nga puna disa herë. “Një shoqëri” nuk është më shumë se një parullë marketingu për LSDM-në. Pas fasadës, LSDM ende nuk është më mirë se paraardhësit e tyre duke mos i pranuar ende parimet themelore demokratike si liria e fjalës, barazia dhe e drejta e etnive jo-shumicë për të emëruar kandidatin e tyre për Kryeministër” thonë nga BDI./TV21