BDI-ja e gatshme ta integrojë Alternativën në Qeveri, Alternativa nuk e tradhton ASH-në

TË FUNDIT

Partia qeveritare shqiptare BDI është e gatshme të negociojë dhe ta marrë opozitaren Alternativa në bashkëqeverisje, nëse kjo e fundit e pranon programin dhe planin strategjik qeveritar. Kështu deklaroi mbrëmë në emisionin Click Plus zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.

“Shumica tani është stabile. Mirëpo vështirë po funksionon. Nëse ka parti politike të cilat e pranojnë programin e qeverisë dhe prioritetet strategjike të qeverisë, ne jemi të hapur të bisedojmë, që t’i integrojmë partitë që ndajnë njësoj prioritetet tona strategjik”, tha Osmani në ClickPlus.

Mirëpo a është e gatshme BDI që ta pranojë edhe partinë me të cilën është në koalicion Alternativa, Aleanca për Shqiptarët? Osmani tha se shqiptarët duhet të kenë edhe opozitë, duke theksuar se partitë e tjera opozitare nuk janë të gatshme të udhëheqin me shtetin.

“Mendoj se është mirë që të ketë… nuk është e shëndoshë për shoqërinë që të mos ketë opozitë. Ne çdo herë kemi qenë të qëndrimit se shqiptarët nuk duhet të organizohen në më shumë se dy opsione, sepse fragmentimi i tepërt e dobëson fuqinë e tyre gjatë paraqitjes. Por çdo herë duhet të ketë një parti opozitare, e cila bën kontroll. Unë jam i mendimit se aktiviteti i opozitës është shumë i rëndësishëm edhe pse te ne është degraduar me lajme të rrejshme dhe kompeticion të pandershëm. Opozita aktuale, po e them me sinqeritet, jo sepse jam në qeveri por, opozita me të vërtetë nuk është e gatshme të ndërmarrë përgjegjësinë që të udhëheqë shtetin”, deklaroi më tej Osmani.

Edhe përkundër këtij fakti lideri i Alternativës Afrim Gashi, deklaron se nuk e pranon propozimin e Qeverisë, duke mos e tradhëtuar partnerin e koaliconit ASH.

“Alternativa e ka programin e vet politik ndërsa bashkë me ASH kanë program të përbashkët zgjedhor dhe ne i qëndrojmë besnik këtij programi, ne nuk merremi me programe tjera. Deri sot kemi qëndruar bashkërisht, do të vazhdojmë të qëndrojmë dhe do të bëjmë betejë bashkërisht në realizimin e atij programi zgjedhor dhe realizimin e interesave shqiptarë të cilët na e kanë besuar votën dhe na e kanë dhënë besimin që ne t’i përfaqësojmë”, tha Gashi.

E lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela në lidhje me komentin e Osmanit se partia e tij duhet të qëndrojë në opozitë, tha se nuk është temë me të cilën do të merret.

“Aleanca dhe Alternativa janë dinjitozë kudo që janë, mbi gjitha primar e kemi interesin e qytetarit dhe primare do ta kemi këtë interes pa marrë parasysh a jemi në opozitë apo në qeveri”, tha Sela.

Përndryshe në edicionet e mëparshme të Click Plus edhe Skender Rexhepi-Zejdi nga koalicioni ASH-AAA ka deklaruar se ka oferta nga LSDM për të qenë pjesë e Qeverisë, por se deri më tani nuk kanë pranuar një gjë të tillë. Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët është shprehur se nuk dëshiron të jetë asnjëherë së bashku me BDI-në në Qeveri.