Bilall Kasami në Tetovë festoi fitoren e tij si kryetar i komunës. Ai me një dallim rreth gjashtë mijë vota arriti që të mposhtë Teuta Arifin nga BDI, e cila qeverisi me Tetovën për 8 vite me radhë. Kasami nga sheshi i qytetit tha se do të punojë që katër vitet e ardhshme Tetova të jetë një qytet evropian.
“Faleminderit të gjithë aktivistëve të Lëvizjes Besa, të Aleancës për shqiptarët, pa marr parasysh shqiptarë, turq, apo romë. Nga zemra i falënderoj dhe ju garantojë që gjithë këtë përkrahje do ju a kthejë me punë, angazhim dhe përkushtim. Ju garantojë që Tetovën pas katër viteve do ta kemi një qytet evropian me kushte më të mira për të jetuar.”
Nga selia blu Arifi në prani të funksionarëve lokal pranoi humbjen duke thënë se vullneti i qytetarëve ishte që ata mos të udhëheqin më komunën e Tetovës .
“Ne si BDI nuk kemi arritur të fitojmë, me që numrat më të mirë edhe në epërsi gjatë këtij numërimi rezulton që të jetë kundër kandidati im. Ishte kjo një fushatë intensive, një fushatë që të gjithë ne i dhamë programet tona, mirë por si gjithmonë që kemi thënë ata që vendosin janë qytetarët edhe është ai populli që vendos.”
Për katër vitet e ardhshme Gostivarin do të vazhdojë ta udhëheq Arben Taravari i ASH. Ai mundi për së dyti herë Nevzat Bejtën e BDI-së.
“Në këtë zgjedhje në Gostivar unë i mora afërsisht 18 mijë vota kurse Ali Ahmeti i mori 12 mijë vota siç tha edhe Teuta ne në këto zgjedhje kundërshtarë nuk e kishim personin Bejta por Ali Ahmetin edhe krejt qeverinë Oliver Spasovskin, Bashkësinë Fetare Islame, Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin dhe gjithë Qeverinë që këto dy javët e fundit ishte në Gostivar.”
Ndërsa nga BDI shefi i shtabit komunal Bashkim Hasani akuzoi se janë keqpërdorur mjetet komunale dhe se VMRO edhe ASH janë bërë bashkë në këtë komunë.
“Fatkeqësisht nuk arritëm të bindim elektoratin e VMRO-së elektorat i cili edhe për qëllimet veta politike vendosi që në Gostivar edhe për katër vite të udhëheq kryetari aktual i komunës bashke me VMRO-në, pse nuk u punua katër vite sot e pamë atë punë që mjetet dhe financat që duheshe për këto katër vite të investohen në të mirë të qytetarëve të Gostivarit sot ata u përdorën për të blerë votën edhe keqpërdor vullnetin e qytetarëve.”
BDI në këto zgjedhje ka humbur komunat më të mëdha të Pollogut si Tetovën edhe Gostivarin. Nga pesë komunat e tjera, Vrapçishti përsëri do të udhëhiqet nga Iseni Shabani, ndërsa Bërvenivcën e fitoi VMRO DPMNE.
