BDI: Edhe trashëgimia shqiptare të përfshihet në himnin e Maqedonisë

TË FUNDIT

Partia shqiptare që aktualisht është në pushtet, ndrësa për qeverisjen e ardhshme po kërkon postin e kryeministrit, Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një komunikate me shkrim pohon se “në mandatin e ardhshëm, një nga prioritetet kryesore të kryeministrit të parë shqiptar do të jetë edhe harmonizimi i simboleve shtetërore, veçanërisht të himnit të vendit tonë”.

Nga BDI shkruajnë se himni duhet të paraqesë përfaqësim edhe të përbërjes multietnike të popullsisë.

“Kjo do të nënkuptonte përfshirjen e një pjese të trashëgimisë kulturore dhe traditës së shqiptarëve brenda himnit, si dhe përdorim i gjuhës shqipe në mënyrë përkatëse sipas pjesëmarrjes së shqiptarëve në shoqërinë e përbashkët” shkruajnë nga BDI.

Integristët po ashtu shtojnë se njëjtë siç  ndërtohet integrim i jashtëm i vendit me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, ashtu edhe me rrumbullakësimin e Kornizës shoqërore të Marrëveshjes së Ohrit, do ta përforcojmë integrimin e brendshëm dhe karakterin unitar të vendit.

“Forcimi i besimit midis popujve, si dhe avancimi i marrëdhënieve ndëretnike, është themeli kryesor mbi të cilin është ndërtuar shoqëria multietnike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pikërisht kjo është arsyeja që një nga prioritetet tona në mandatin e ardhshëm, do të jetë integrimi i plotë i  shqiptarëve, i traditës, kulturës dhe shprehjes gjuhësore të shqiptarëve, në të gjitha sferat e jetës shoqërore” thuhet në kumtesën e BDI-së.