BDI dhe LSDM me shumë gjasa do të dalin të ndara në zgjedhje dhe jo në kuadër të të ashtuquajtur Front Europian. Dy partitë këtë nuk e thonë drejtpërdrejt, por as nuk pohojnë se do të bëhen bashkë në front. Nënkryetari dhe zëdhënësi i BDI-së Arbër Ademi thotë se në asnjë mbledhje të partisë nuk është diskutuar që të ketë një koalicion me parti maqedonase, por pranon se Ahmeti ka diskutuar me parti politike shqiptare.
“Në subjektin tonë politik, në organizatën tonë politike nuk është diskutuar për ndonjë koalicionim të tillë i cili i kalon kufijtë etnik. Është e vërtetë se kryetari ynë z.Ahmeti ka komunikim të vazhdueshëm me të gjitha partitë politike shqiptare. Ftesa është e hapur, ndikimin rus, ndikim kancerogjen, malinj rus, ne mund ta luftojmë vetëm duke i mobilizuar dhe organizuar me një front të përbashkët europian.”- deklaroi Arbër Ademi – zëdhënës i BDI-SË.
Kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçveski thotë kanë bërë kalkulime që të shkojnë vetë në zgjedhje ose të formojnë ndonjë fron tjetër europian.
“Në lidhje me koalicionin LSDM mbetet në qëndrimin se do të jetë në koalicion dhe do të udhëheq koalicion me parti politikë që mbartin vera të njëjta edhe ato janë për anëtarësim në Bashkimin Europian, plotësimin e detyrave të NATO-s dhe ndërtimi e një shoqërie që ka standarde europiane që i kanë edhe vendet e BE-së, dhe të gjitha ato parti që duan të jenë pjesë, që ndajnë këso vlerash, do të jenë me ne, por edhe një pjesë e partive që ndajë këso vlera dhe kanë bërë kalkulime që të shkojnë në zgjedhje vetë ose me koalicione tjera, por kjo është edhe e bukura e demokracisë që dikush të shkojë në zgjedhje ashtu si ka a vendosur vetë.”- deklaroi Dimitar Kovaçveski – kryetar i LSDM-së.
Se LSDM e BDI nuk do të bëhen bashkë në front europian u bë gjithnjë e më e qartë me kandidaturat për presidentë, pasi integristët dolën me kandidatin e tyre Bujar Osmani, ndërsa socialdemokratët pritet të dalin me Stevo Pendarovskin. Me sa është mësuar tani në rrugë jozyrtare, krejt kjo ndodhi kur opozita shqiptare lajmëroi se do të dilte me kandidatin e saj për President, duke ia prishur planet partnerëve qeveritare për një kandidat të përbashkët konsesual, që me shumë gjasa përflitej të ishte Pendarovski, të cilin do të duhet të dilte ta mbështeste edhe BDI-ja.
