Funksionarët e LSDM dhe BDI kanë vendosur qw rrogat e tyre t’i donojnë në fondin për KOVID 19. Këtë vendim e sollën kryesitë e këtyre dy partive pas vendimit të Gjykatës kushtetuese e cila e ndërpreu dekretin e Qeverisë për pagë minimale.
“Rrogat do t’i marrim gjithë, mirëpo vetë personalisht do t’i paguajmë në fondin për Covid -19, ky është vendimi i partisë që secili veç e veç rrogën e tij ta dorëzojë tek fondi”, tha Edmond Ademi, LSDM.
“Vullnetarisht ne t’i zbresim vet rrogat në nivelin e pagës minimale, ndërsa pjesën tjetër të pagës ta donojmë në përballjen e vendit kundrejt virusit korona”, tha Arbër Ademi, BDI.
Flakron Bexheti nga Aleanca thotë se BDI është 15 vjet në Qeveri dhe se mund të kontribuojë më shumë se kaq për luftën me Kovid-19.
“Sinqerisht edhe pse janë parti shumë gjatë në qeveri, më shumë se 15 vite mund të japin më shumë se kaq në këto rrethana. Sa i takon ASH-së veprimin e ka bërë aty ku ka pasur mundësi në Komunën e Gostivarit , Bogovinës dhe Vrapçishtit”, tha Flakron Bexheti ASH.
Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa tha se ata nga fondi i partisë kanë blerë maska dhe i kanë shpërndarë nëpër qytetet të ndryshme.
“Kemi nda në çdo qytet një sasi optimale të maskave të cilat i kemi siguruar nga buxheti i partisë, kjo është mundësia e vetme që mund të japim si parti opozitare”, tha Arjanit Hoxha, Besa.
Gjykata Kushtetuese vendosi që përkohësisht ta ndërpresë zbatimin e tre dekreteve që i solli Qeveria në gjendje të jashtëzakonshme. Dekretin me të cilin të gjithë funksionarët e emëruar në sektorin publik – deputetë, shefi i shtetit, ministra, kryetarë komune, gjykatësi, prokurorë, do të merrnin rrogë minimale prej 14.500 denarëve për prill dhe maj, dekretin me të cilin ndalohet pagesa e shtesave dhe kompensimeve të rrogës në sektorin publik gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe dekretin me të cilin parashihet pagesa e rrogave të mbetura të funksionarëve të PPS-së.
