BDI akuzon për ngecje në integrime! VLEN sheh sinjale për zhbllokim të ndryshimeve kushtetuese

TË FUNDIT

BDI shpreh shqetësim për vlerësimin negativ që Komisioni Evropian i ka dhënë Maqedonisë së Veriut në raportin e fundit të Zgjerimit. Arbër Ademi nga kjo parti thekson se përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë, e cila nuk ka përmbushur kushtet themelore për hapjen e negociatave, përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe reformat në sundimin e ligjit.

“Një ndër pikat më kritike që thekson raporti është dështimi për të realizuar ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht i qartë i vendosur nga Këshilli Evropian. Komisioni nënvizon se nuk është bërë asnjë përpjekje për miratimin e tyre. Kjo nuk është thjesht një vonesë teknike, kjo është shkelje e një zotimi ndërkombëtar dhe dëmton seriozisht kredibilitetin e shtetit para partnerëve tanë evropianë”, tha Arbër Ademi.

Ndryshimet kushtetuese varen kryesisht nga VMRO DPMNE, për shkak të numrit deputetëve që ka kjo parti. Ndonëse publikisht nga ata nuk ka ndonjë sinjal se do të lëshojnë pe, megjithatë deputetja nga VLEN, Saranda Imeri, thotë se ka dritë në fund të tunelit.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, futjen e Bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë. Ka dritë në fund të tunelit për shkak se në bisedë e sipër edhe me kolegët tanë të koalicionit qeveritar të VMRO-së kemi parë sinjale, me të cilat edhe ata më në fund e shohin realitetin sepse pa ndryshime kushtetuese nuk mund të kemi progres”, deklaroi Saranda Imeri.

-Pra po thoni që mund të binden?

“Mund të binden ata e kanë pranuar këtë realitet dhe unë mendoj se së shpejti do të kemi diçka konkrete, normalisht tani është çështje e tyre e brendshme se si do ta menaxhojnë këtë, mirëpo disponimi në mesin e deputetëve të VMRO DPMNE është ndryshe, pranojnë realitetin se pa intergrimin tonë në BE, Maqedonia nuk mund të ketë të ardhme”, tha Imeri.

Ndryshe, vetëm para disa ditëve kryeministri Mickoski përsëriti se qëndrimi i Qeverisë për “vijat e kuqe” në mosmarrëveshjen me Bullgarinë mbetet i pandryshuar. Ai tha se është i gatshëm për bisedime, por jo për lëshime që, sipas tij, do të përbënin “tradhëti dhe kapitullim”.