Bashkimi Demokratik për Integrim, Dega në Tetovë, përmes një konference për gazetarë, ka kërkuar llogari nga Komuna e Tetovës lidhur me përgatitjet dhe organizimin e vitit të ri shkollor. Nga BDI pyetën se çfarë ndodhi me premtimin e kryetarit të komunës, Bilall Kasami, të dhënë në muajin qershor, sipas të cilit çdo nxënës i klasës së parë do të ndihmohej me nga 100 euro. Sipas opozitës, ndonëse viti shkollor tashmë ka filluar kurse prindërit nuk i kanë pranuar ende këto mjete.
“Për sa paralele janë siguruar pëlqime për shkollat e mesme të Tetovës? A përputhet ky numër me të gjitha paralelet e miratuara nga Këshilli Komunal? Nëse jo, sa paralele janë shkurtuar dhe në cilat shkolla? Qytetarët kërkojnë transparencë. Dëshirojmë të dimë, a ka Komuna e Tetovës plan strategjik në lidhje me temën aktuale të optimizimit? Më 5 qershor u premtuan nga 100 euro për çdo nxënës të klasës së parë. Viti shkollor ka filluar, ndërsa mjetet akoma nuk janë shpërndarë. Kur do t’i marrin nxënësit këto mjete?”, tha Armend Imeri – BDI Tetovë.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ditë më parë deklaroi se shkaku pse mjetet financiare nuk kanë kaluar ende në llogaritë e prindërve është bllokimi i xhirollogarisë së komunës nga përmbaruesit. Kasami theksoi se po punohet për zhbllokimin e llogarisë, pas së cilës do të bëhet edhe ekzekutimi i pagesave.
“Po, edhe një herë, fatkeqësisht atë që kemi trashëguar nga e kaluara, borxhet dhe përmbaruesit, edhe përkundër faktit që kishim një vendim të Këshillit nuk lejuan që prindërit të marrin atë që… Dhe në këtë situatë po punojmë që brenda këtyre dy muajve të paguhen edhe borxhet e fundit që janë në përmbarues, dhe ne besojmë pas dy muajve të menaxhojmë me llogarinë e Komunës dhe prioritet do t’u jepet pagesës së atyre obligimeve të cilat ne i kemi marrë si Komunë për filloristët e Komunës së Tetovës”, u shpreh Bilall Kasami – Kryetar i Komunës së Tetovës.
Përveç problemeve financiare dhe administrative, arsimi po përballet edhe me një rënie të theksuar demografike. Gjatë shtatë viteve të fundit, numri i përgjithshëm i nxënësve në Republikën e Maqedonisë së Veriut është zvogëluar për rreth 17.000. Sa i përket filloristëve në klasë të parë, për vitin shkollor 2026/2027 janë regjistruar vetëm rreth 14.500 nxënës – shifër kjo që shënon një rënie prej afro 9.000 fëmijësh më pak krahasuar me vitin shkollor 2016/2017.
