“Po fillojmë me lajmet më të fundit nga Donbasi, ushtarët e Republikës Popullore të Luhanskut vazhdojnë ofensivën, kanë kaluar tre kilometra, përderisa njësitë nga Republika Popullore e Donjetskut kanë kaluar 16 kilometra.”
Kjo është një pjesë nga raportimi i situatës në Ukrainë në ditën e parë, nga një program i NTV-së, i cili është në pronësi të Gazprom, një kompani e kontrolluar nga Kremlini, raporton BBC. Gazetarët u fokusuan ekskluzivisht në Donbas, një rajon e Ukrainës lindore. Rusia pretendon se më 24 shkurt ka nisur luftë për çmilitarizimin e Ukrainës.Nuk përmendet askund konvoji i gjatë një kilometër që lëviz për në Kiev, për të cilën është e njoftuar gjithë bota, shkruan BBC.
“Ata sillen si fashistë, në vetë kuptimin e kësaj fjale: neo-nazistët i vendosin pajisjet e tyre jo vetëm pranë shtëpive të banimit, por edhe aty ku fëmijët strehohen në bodrume.”
Në kanalin Rusia1 dhe Kanal 1, dy kanalet më të ndjekura, njëkohësisht të kontrolluara nga shteti, në lajme thuhet se forcat ukrainase janë fajtor për krimet e luftës në Donbas, duke shtuar se kërcënim për civilët janë nacionalistët ukrainas.
Ndërkaq në kanalin shtetëror 1 të Rusisë, krahas programit ditor janë publikuar edhe dy foto të të njëjtit mjet të shkatërruar. Fotografia e mësipërme tregon një automjet ukrainas të shkatërruar në Donbas në vitin 2014, dhe fotografia më poshtë është një montazh i përdorur nga ukrainasit që pretendojnë se ishte një automjet rus që ata e kanë shkatërruar tani, thuhet në lajmin e BBC.
BBC ka realizuar një studim në lidhje me atë se çfarë informacionesh marrin rusët nga mediat në lidhje me luftën.
Për krahasim janë analizuar disa nga kanalet më të shikuara në Rusi dhe të kontrolluara nga shteti. Prezantuesi i Kanal 1 thotë se ukrainasit po përgatiteshin të granatonin ndërtesat e banimit dhe magazinat për të provokuar civilët dhe forcat ruse. Kur flasin për Ukrainën, nuk flasin për luftë, por e quajnë një operacion ushtarak çmilitarizimi që synon strukturat ushtarake.
Fajësojnë Ukrainën, duke pretenduar se Ukraina përdor gratë, fëmijët dhe të moshuarit si mburoja njerëzore. E ndërsa mediave perëndimore raportojnë se ushtria e Putinit po lufton në Ukrainë me rezistencë të fortë ukrainase, mesazhet në programet ruse tregojnë se sa i suksesshëm është operacioni ushtarak i Rusisë, thuhet në hulumtimin e BBC.
Një numër i madh i të rinjve rusë informohen përmes mediave të pavarura apo rrjeteve sociale, shkruan BBC. Por autoritetet po përgjigjen duke censuruar mediat e pavarura.
