Baza ku ruhen të dhënat e sistemit të institucioneve/ Objekti që i mbron ato në rast të katastrofave natyrore

TË FUNDIT

Ky është objekti i TIK Qendrës në Prilep, në të cilën ruhen dhe mbrohen të dhënat dhe sistemet e informacioneve në vend. Kjo qendër garanton se sistemi do të funksionojë nëse rrezikohet puna e sistemit primar të punës. E njëjta i ruan të dhënat në rast të katastrofave natyrore apo të shkaktuara nga faktori njeri.
Investimi i përgjithshëm është rreth 11 milion euro, mjete të siguruara përmes IPA fondeve, por një pjesë është mbuluar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Bëhet fjalë për një objekt me pajisje më të sofistikuara, me standardet më të larta të sigurisë ndërsa siç thonë përfaqësuesit qeveritar, është qendra e parë e këtij lloji në rajon.

“Me Qendrën TIK siguruam investim të përhershëm për ruajtjen e të dhënave nga sistemi parësor i informacionit në rast të fatkeqësive të mundshme natyrore apo të shkaktuara nga faktori njeri. Si Qeveri, jemi të përkushtuar t’u përgjigjemi sfidave moderne, para së gjithash, sigurisë kibernetike dhe abuzimeve në sferën e internetit që mund të kërcënojnë seriozisht sigurinë nacionale, rajonale dhe ndërkombëtare.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Rëndësinë e kësaj qendre e spjegon edhe ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.

“TIK Qendra paraqet back-up, gjegjësisht bazë rezervë për sistemet kyçe dhe vitale të vendit, i cili garanton se ato do të funksionojnë nëse nga çfarëdo shkaku rrezikohet puna e sistemit primar informativ dhe gjithashtu, se do t’i ruajë të dhënat në rast të katastrofave natyrore apo të shkaktuara nga faktori njeri, dhe do të mundësojë shkëmbim kompatibil të informacioneve me institucionet tjera.”- tha Oliver Spasovski – Ministër i Brendshëm.

Pyetëm ministrin Spasovski se cili është roli i kësaj qendre në raste konkrete, nëse në Maqedoni ndodhin katastrofa të ndryshme?
“Nëse ndodhë kudo në shtet ndonjë katastrofë, ku pamundësohet funksionimi i sistemit në ndonjërin prej vendkalimeve kufitare, menjëherë për disa sekonda kalon në back-up variantin këtu në Qendër.”- pohoi Oliver Spasovski – Ministër i Brendshëm.

Spasovski njoftoi se tanimë janë lidhur marrëveshje me katër institucione të cilat i ruajnë të dhënat e tyre këtu. Ky sistem sipas Spasovskit, është tejet i rëndësishëm në një kohë kur në trend janë sulmet hibride.