Baza e asfaltit brenda lagjes Ivanidoll, banorët nuk tërhiqen nga kërkesa që baza të dislokohet

TË FUNDIT

Kjo bazë asfalti është ndërtuar në lagjen Ivanidoll të Kërçovës.

Është vetëm 60 metra larg shtëpive, ndërsa ligjërisht një bazë asfalti duhet të jetë 5km larg një vendbanimi.

Gati 30 muaj banorët e lagjes, që janë rreth 1600, po luftojnë nëpërmjet institucioneve që baza të mos fillojë me punë dhe të dislokohet.

Ata, në letrën drejtuar institucioneve të vendit dhe ambasadave, shkruajnë se edhe pse institucionet përkatëse tashmë janë të informuara, nuk është ndërmarrë asnjë masë, ndërsa baza tashmë është funksionale, duke lëshuar gazra të dëmshëm dhe gjeneruar zhurmë.

KËRKESA E BANORËVE TË IVANIDOLLIT:

-Mbikëqyrje dhe ndërprerje të menjëhershme e funksionimit;

-Ndëshkim të subjekteve përgjegjëse dhe zyrtarëve;

-Heqje të detyruar të bazës nga zona e banuar;

-Fillim hetimi për mosveprim institucional dhe për ndonjë marrëveshje të mundshme kriminale mes funksionarëve publikë dhe subjektit privat.

Në letrën e tyre, ata citojnë edhe ligje. Rikujtojnë se nëse nuk është respektuar distanca e parashikuar ligjore nga vendbanimet për një veprimtari të këtillë, dhe nëse vërtetohen pretendimet se për këtë janë bërë marrëveshje mes organeve publike dhe private, Kodi Penal parasheh dënime për veprat penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës zyrtare. Njëjtë edhe nëse dëmet janë më të mëdha në mjedisin jetësor:

“Nëse dëmet mjedisore janë të mëdha mund të shqyrtohet edhe mundësia e ndjekjes penale për veprën penale të ndotjes së mjedisit jetësor, e cila parashikon dënime me burg nga një deri në pesë vjet për ata që nuk ndërmarrin masa për parandalimin e ndotjes që tejkalon kufirin e lejuar”, thuhet në Kodin Penal.

Ndonëse i takuam edhe sot, por nuk deshën të flasin para kamerës, banorët paralajmërojnë se nëse nuk merren masat e duhura nga kompetentët, do të dalin në protesta dhe betejën do ta vazhdojnë në rrugë ligjore përmes gjykatës siç tanimë e kanë nisur.