Basha i përgjigjet Metës pas deklaratës në ClickPlus: Qëndroni larg selisë së PD-së

TË FUNDIT

Partia Demokratike në një deklaratë për mediat i ka kërkuar Presidentit, Ilir Meta që të qëndrojë larg debateve të brendshme të saj.

“Ilir Meta dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike”, nis reagimi i PD.

Në deklaratë thuhet se “koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha”.

“Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh”, thekson deklarata.

Reagimi i PD vjen pas qëndrimit të shprehur nga Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste për mediat në Maqedoninë e Veriut ku ndodhet në një vizitë zyrtare.

Meta ndër të tjera ka deklaruar se Lulzim Basha është përgjegjësi kryesor për dështimet e opozitës.

Nga ana tjetër, në media janë publikuar informacionet se në protestën e PD ka pasur dhe mbështetës të LSI-së.

Ndërkaq, Meta dje në ClickPlus në TV21 duke komentuar zhvillimet në PD, tha se përgjegjësia ekskluzive për përçarjen e opozitës, i takon Lulzim Bashës.