Banorët kundërshtojnë guroren në Straçincë! Druajnë nga rreziku i shpërthimeve – Mexhiti thotë se është në anën e tyre

TË FUNDIT

Banorët e Straçincës shprehen të revoltuar për, siç shprehen, kompaninë e cila synon të hapë gurore 300 metra vijë ajrore mbi fshat. Siç pretendojnë kompania tashmë ka vendosur mjete shpërthyese. Ata druajnë se detonimet mund të shkaktojnë dëme materiale të objekteve në Straçincë.

“Ne shpresojmë se ai ekip që i ka vendosur ato mina të vijë dhe t’i tërheq, sikur i ka vendosur t’i tërheqin dhe lajmet e fundit ne çfarë mendojmë dhe i kemi se në qeveri veçse është lënda prej ministrisë së energjetikës që asaj kompanisë t’i merret koncesioni. Nëse nuk largohen ato mjetet eksplozive prej këtij vendit, sigurisht që është frikë edhe të shkojnë, ne nuk e dimë mundet dikush të shkojë dhe t’i aktivizojë ato mina. Sot nuk është mbajtur mësimi.
-A do të vazhdojnë të mos mbajnë mësim ende nxënësit?
-Po ne mendojmë se deri nesër do t’i largojnë ato”, tha një banor i Straçincës.

“Ky dëm do të jetë dëm për të gjithë popullin këtu, e kap edhe Haraçinën, Bërnjancën, Stajkovcin, Creshovën, Vinicën, diku 20-30 mijë banorë do t’i shohin dëmin asaj”, tha një tjetër banor i Straçincës.

Për këtë çështje edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i mjedisit, Izet Mexhiti, duke u shprehur se janë në anën e banorëve dhe se nuk do të lejojnë që të përsëritet ajo që ka ndodhur me vërshimet.

“Mbrëmë vonë isha edhe në Straçincë, atje ka problem me koncesion po u premtova qytetarëve për interesin qytetar, dhe nuk do të lejojmë që të përsëritet ajo që ka ndodhur me vërshimet pra jemi në krahë me qytetarët e Straçincës”, tha Mexhiti.

Ka 10 vite që ka përpjekje të nisë me punë kjo gurore në këtë fshat mbi Shkup. Në përpjekjen e mëparshme, punët u patën ndërprerë pas reagimeve të ashpra të banorëve. Tani banorët pohojnë se disa persona të një kompanie u kanë thënë se e kanë blerë koncesionin prej personit të mëparshëm që ka dashur të punojë.