Banorët e Rekës së Epërme në protestë / Ankohen se “Parku nacional Mavrovë” po shkatërron natyrën

TË FUNDIT

Banorët e Rekës së Epërme e bllokuan rrugën Gostivar-Mavrovë për dy orë rresht. Protestojnë duke thënë se Parku Nacional Mavrovë vetëm i shfrytëzon resurset e tyre dhe nuk investon asgjë, ndërsa sipas tyre, vetëm nga një tender në vitin 2022 nga malet e fshatit janë prerë drurë me vlerë 3 milionë eurosh.

“Jemi mbledhur për të shprehur revoltën tonë për të gjithë politikat restriktive duke filluar nga katastrofat ekologjike që ndodh në Parkun Nacional të Mavrovës, gjegjësisht në malin Melik. Parku Nacional i Mavrovës ndonëse është themeluar si institucion për mbrojtjen e natyrës, bëjnë të kundërtën po e shkatërrojnë të gjithë biodiversitetein e malit Korab, duke bërë prerje masive të drurëve për qëllime komerciale, edhe atë në prona private dhe kjo shkakton dëm prej 3 milion euro”, thotë Egzon Useini nga Shoqata “Rilindja e Rekës”.

Banorët thonë se 74 vjet Parku Nacional po i shfrytëzon ata, ndërsa nuk ka bërë as edhe një investim, por vetëm i ka penguar që të zhvillohen.

“Sot protestojmë kundër Parkut Nacional pasi që shfrytëzon një pjesë së Rekës së Epërme për 74 vite dhe nuk ka bërë asnjë investim përveç përfitimeve të tyre private”.

“Protestojmë pasi që ndihemi shumë keq, asnjë investim nuk kemi në pjesën tonë të Rekës edhe pse jemi banorë të asaj pjese, vetëm vijnë dhe e shkatërrojnë malin, e shkatërrojnë pasurinë që e ka bërë Zoti edhe vërtetë nuk mund të qëndron popullata si mendojnë ata”.

“Protestojmë shkaku rrugës, ata malin e presin atje, ndihmë për ne nuk ka, Tanushë, Zhupe dhe nuk kemi hiç ndihmë nga ata, rrugët i prishën, kanë hapur rrugë tjetër, na i kanë prishur edhe livadhet për atë.”

Sipas Shoqatës për zhvillimin rural “Rilindja e Rekës së Epërme” nëse Qeveria nuk ndërmerr masa, ata do të detyrohen që të marrin veprime edhe me rigoroze që të ndalohet prishja e natyrës në vendbanimet e tyre.