Banorët e Debreshit protestojnë për ujë të pijshëm! Komuna e Gostivarit premton zgjidhje: Kanë filluar punimet për linjë të re të ujësjellësit

TË FUNDIT

“Mos na lini me kova e bidona” ishte njëra nga pankartat që banorët e fshatit Debresh përdorën gjatë protestës ku kërkuan ujë të pijshëm. Banorët kërkojnë që çështja e ujit të pijshëm të zgjidhet menjëherë që siç theksuan, “është kaluar çdo kufi i durimit”. Gjatë protestës, qytetarët u revoltuan dhe tentuan të futen brenda objektit të komunës së Gostivarit, që si pasojë është thyer edhe xhami.

Në anën tjetër, komuna u bëri thirrje qytetarëve për durim duke pohuar se me dekada banorët përballen me vështirësi në furnizimin me ujë ndërkohë që bëri të ditur së kanë filluar punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit dhe se është marrë vendim edhe për përmirësimin dhe sanimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh. Sipas tyre, zgjidhja që ata ofrojnë do të ndikojë dukshëm në rritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të furnizimit me ujë.

“Njëkohësisht, është marrë vendim edhe për përmirësimin dhe sanimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, një ndërhyrje e rëndësishme që pritet të ndikojë dukshëm në rritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të furnizimit me ujë. Komuna e Gostivarit ka dëshmuar më shumë se kurrë më parë, vullnet dhe përkushtim për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar. Për këtë arsye, i ftojmë banorët për mirëkuptim dhe durim gjatë periudhës së realizimit të punimeve, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje. Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet përkatëse, të sigurojë zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për furnizimin me ujë të të gjithë banorëve”, tha Komuna e Gostivarit.