Banka më e madhe e Zvicrës në bisedime për të blerë rivalen Credit Suisse

TË FUNDIT

Banka më e madhe e Zvicrës, UBS, raportohet se është në bisedime intensive për të blerë plotësisht, apo pjesërisht, bankën rivale Credit Suisse, e cila së fundi po përballet me telashe financiare.

Vlera e aksioneve të Credit Suisse ka rënë ndjeshëm ditëve të fundit, pasi është thënë të jetë gjetur “deficit” në raportet financiare.

Një injeksion financiar urgjent prej 54 miliardë dollarëve nga Banka Kombëtare Zvicerane nuk duket se ka zgjidhur problemin.

Rregullatorët janë duke tentuar të ndërmjetësojnë një marrëveshje, para se tregjet e aksioneve të rihapen sërish të hënën.

Ka shqetësime se aksioneve të Credit Suisse mund t’iu bjerë edhe më shumë vlera.

Kjo situatë ka shtuar brengat për krizë më të madhe financiare.

Qeveria zvicerane e ka mbajtur të shtunën një takim urgjent, mirëpo nuk është bërë e ditur se çfarë është diskutuar aty.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se UBS besohet t’i ketë kërkuar Qeverisë zvicerane që ta ndihmojë me 6 miliardë dollarë, nëse vendosë të blejë bankën Credit Suisse.

Secila marrëveshje e ngjashme mund të rezultojë me humbje të shumë vendeve të punës.

Ky problem koincidon me falimentimin e dy bankave në Shtetet e Bashkuara – Silicon Valley Bank dhe Signature Bank – duke rritur shqetësimet për gjendjen e sistemit bankar.

Credit Suiise njihet si bankë globale e investimeve dhe menaxhon asetet e klientëve shumë të pasur.

Ajo është një prej 30 bankave në botë që konsiderohen tejet të mëdha për të dështuar, sepse janë të një rëndësie të madhe për sistemin bankar ndërkombëtar.

Në fund të vitit të kaluar Credit Suisse ka pasur një staf prej 50.480 punëtorësh, përfshirë 16.700 në Zvicër./REL