Edhe pse shumë institucione kanë të vendosur sistem për raportim të brendshëm të mbrojtur, nuk e përmbushin plotësisht obligimin për të dorëzuar raportin në KSHPK, kjo ngaqë nuk pranojnë denoncime nga sinjalizuesit. Kështu deklaroi kryetarja e këtij komisioni Biljana Ivanovska. Vitin e kaluar ka pasur gjithsej 9 raportime nga ana e sinjalizuesve, në vitin 2020 vetëm 6, ndërsa në 2019 – 19.
26 lëndë janë hedhur poshtë meqë nuk ka pasur elemente për të vepruar komisioni, ndërkaq është vepruar vetëm mbi një lëndë, me çka është dorëzuar iniciativë deri në qeveri për përcaktim të përgjegjësisë, shton Ivanovska.
“Analiza e raporteve gjashtëmujore të pranuara ka treguar se ka një përmirësim të lehtë në zbatimin e ligjit për raportimin e brendshëm të mbrojtur. Raportet e dorëzuara përmes kanalit të raportimit të brendshëm që është themeluar në institucione, tregojnë se qytetarët ende janë të inkurajuar që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të raportojnë dyshime, përkatësisht njohuri për paligjshmëri apo parregullsi në punën e institucioneve”, deklaroi Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK
Arjan Dyrmishi, koordinator i Koalicionit të Sinjalizuesve të Evropës Juglindore, tha se me përjashtim të Serbisë, rastet e raportimeve në Ballkan janë përgjithësisht të ulëta. Ai veçoi edhe rastin në Maqedoni nga viti 2015, kur të punësuarit në strukturat e sigurisë me sinjalizimin e tyre kanë mundësuar ndryshime të rëndësishme me dorëheqjen e Qeverisë së Gruevskit, zgjedhjet e reja, Marrëveshjen me Greqinë, anëtarësimin në NATO.
“Rastet e sinjalizuesve në përgjithësi në Ballkan janë të ulëta, në Serbi ka një numër pak më të madh sepse aty kanë punuar më shumë edhe me institucionet e së drejtës, me gjyqësorin, prokurorinë, sepse sinjalizimi është një çështje që nga momenti që kryhet implikon edhe sistemin gjyqësor dhe do të duhet që të ketë një njohje të mirë të legjislacionit edhe të procedurës, edhe gjatë aspektit administrative edhe në aspektin gjyqësor”, pohoi Arjan Dyrmishi – koalicioni i sinjalizuesve të Evropës JL
Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupaçevski dhe Euroambasadori David Geer thanë se vetëm duke ofruar mbrojtje dhe mbështetje për sinjalizuesit do të kontribuojmë në forcimin e rolit të tyre, në zbulimin e shkeljeve serioze të interesit publik, si korrupsionit dhe shkeljes së drejtësisë. Ndryshe sot është dita botërore e sinjalizuesve dhe e njëjta u shënua me konferencë nga ana e Qendrës Scoop, FAR (Forumi Arsimor Rinor) në bashkëpunim me Koalicionin për Mbrojtjen e sinjalizuesve nga Evropa Juglindore dhe Iniciativën Rajonale Kundër Korrupsionit. Sinjalizimi – është raportimi apo shpalosja e informacionit në lidhje me shkeljet e ndryshme ligjore që mund të ndodhin në institucionet e sektorit publik dhe privat.
