Atmosfera do të ishte ndryshe po të mos ishim në kohë pandemie, por mungesa e publikut në ndeshjet e futbollit ka bërë që edhe ndeshja mes Shkëndijës dhe Totenheamit të shihet në mënyra tjera. Tifo grupi Ballistët në ora 19 do të grumbullohen në sheshin “Ilira” dhe më pas do të nisen për në gjimnazin e Tetovës ku edhe do ta ndjekin ndeshjen. Arbin Hajrullahi kryetari i tifo grupit Ballistët thotë se ekipi i zemrës duhet të përkrahet në cfarë do lloj mënyre.
“Ne si tifo grup Ballistët kemi organizuar një marsh nga sheshi Iliria deri tek gjimnazi Tetovës dhe aty do shikohet në projektor ndeshja, besojmë se do kemi përkrahjen gjithë qytetit pa marr parasysh rezultatit. Klubit i duhet përkrahje pa marr parasysh rezultatit dhe është një ndeshje historike që duhet ta shijojnë edhe lojtarët por edhe ne si tetovar”, theksoi Arbin Hajrullai – kryetar i Ballistëve.
Qytetarët që anketuam thonë se ndeshjen do e shohin bashkë me “ballistët”, por edhe në shtëpi.
“Në televizion, ku do e shohim?!”
“Do kishim dashur shumë të shkojmë në stadium por nuk lënë të shkojmë”.
“Në gjimnazin Kiril Pejçinoviç dhe na mungon shumë stadiumi”.
Ndeshje mes Shkëndijës dhe Totenhemit do të zhvillohet sonte në ora 20-të.
