“ Për veprat e kryera, Gjyqi i dënon njëjtë si vendimi i mëparshëm. I akuzuari i parë Boban Iliq me dënim me burg prej 6 vitesh, i akuzuari i dytë Sedat Aliu me dënim burg prej 6 muajsh, i akuzuari i tretë Sami Demiri me dënim 9 muajsh dhe i akuzuari i katër Abdulla Aliu me dënim 9 muajsh burg”, u shpreh Maja Denkoska, gjykatëse e lëndës.
Ky është vendimi i rastit “Almiri” në Gjykatën Themelore në Kumanovë i cili aktualisht ishte në rigjykim. Ndërsa të dënuarit Boban Iliq, gjykatësja Maja Denkoska solli vendimin që t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Gjykatësja Denkoska gjatë rishqiptimin të aktvendimit tha se edhe gjatë ripërsëritjes së rastit Gjykata nuk mendon se ekziston çfarëdolloj dëshmie ose fakti që do të ndikonin në ndryshim të dënimit.
Babai i Almirit të ndjerë, Sedat Aliu, tha se ripërtëritja e vendimit është një vrasje tjetër për ta. Ai shprehet se nuk ndjehet i habitur nga ky vendim sepse sipas tij shihet qartë se kjo gjykatë punon kundër shqiptarëve.
“Përsëritja e gjykimit është një lloj vrasje për neve. Ne e kemi pritur këtë se e dimë se si veprojnë maqedonasit me shqiptarët. Gjykata e Kumanovës nuk ka asnjë interes për shqiptarët që jetojnë në Kumanovë, për dallim nga maqedonasit. Jemi të anashkaluar total. Tash presim prej Gjykatës së Apelit në Shkup. Do të vazhdojmë. Këtë sot e kemi pritur, e kemi ditur se do të jepet vendim i tillë përsëri”, tha Sedat Aliu, babai i Almirit.
Avokati Asmir Alispahiq tha se vendimi ndodhi siç edhe ishtë pritur, sepse siç tha, Gjykata Themelore në Kumanovë në asnjë moment nuk ndryshoi dhe pranoi asgjë gjatë gjithë procesit. Alispahiq vlerësoi se bëhet fjalë për rast të montuar nga Prokuroria Themelore Publike dhe nga Gjykata Themelore e Kumanovës. Ai tha se luftën e tyre për drejtësi do ta kërkojnë edhe në instanca më të larta dhe edhe në gjykatat jashtë vendit siç është ajo e Strasburgut, nëse gjykatat këtu nuk marrin parasysh kërkesat e tyre.
“Ky do të jetë shembull për drejtësi selektive me të cilën do të mësojnë studentët e ardhshëm të drejtësisë të cilët do të duhet të mësojnë se si nuk duhet të sillet drejtësia në baza etnike dhe në mënyrë selektive, sidomos kur bëhet fjalë për të akuzuar shqiptarët. 1.22 Qëndrimin tim e kam thënë edhe më herët, se bëhet fjalë për lëndë të montuar nga Prokuroria dhe e fuqizuar nga Gjykata Themelore në Kumanovë”, deklaroi avokati i palës mbrojtëse, Asmir Alispahiq.
Avokati Ibrahim Bajrami tha se po të kishte pranuar Gjykata Themelore tre dëshmitarët e propozuar nga ana e palës mbrojtëse aktvendimi sot do të ndryshonte.
“Këtë lëndë e bastarduan dy momente. Pranimi i provave të paligjshme nga ana e Prokurorisë në kuptimin e ekspertëve të cilët nuk posedonin licencë valide, dhe përmbajtjen e ekspertizave të tyre shumë tendencioze. Nga ana tjetër e bastardoi edhe mospranimi i tre dëshmitarëve të propozuar nga ana jonë të cilët ishin dëshmitar okular dhe të cilët do të vërtetonin gjendjen faktike që ka ndodhur, vrasje me paramendim dhe e dyta marshuta e lëvizjes së kryerësit të veprës penale”, theksoi ndihmës avokati, Ibrahim Bajrami.
Lënda “Almiri” ishte kthyer në rigjykim pikërisht sepse u zbulua se ekspertët ligjorë që kishin kryer ekspertizën ishin me licencë të skaduar të punës. Por Gjykata e Kumanovës përsëri mori parasysh këto ekspertiza të kryera dhe solli vendimin e njëjtë gjyqësor me arsyetimin se edhe pse ekspertët kishin licencë jo valide ata figuronin në regjistrin e Ministrisë së Drejtësisë si ekspertë ligjorë. Vrasja e Almir Aliut 4 vjeçar, ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 si pasojë e një zënke verbale në mes prindit të Almirit dhe Boban Iliq i cili shtypi me makinën e tij Almirin.
Përgatiti: Valmira Zendeli
