Sipërmarrësit ankohen për procedurat e stërzgjatura për leje ndërtimi. Pronari dhe drejtori i përgjithshëm i ZSF KOM Fatmir Etemi, në konferencën e parë të pasurive të paluajtshme të organizuar në vend, theksoi se autoritetet po i bllokojnë projektet e tyre.
Sipas tij, në shumë vende ka plane urbanistike në fuqi, por njerëzit nuk marrin leje ndërtimi, duke shtuar se presin nga 5-10 vjetësh. Etemi ka dërguar një mesazh të qartë për autoritetet duke u thënë atyre të zgjohen!
“Po dërgojmë porosi ngaqë edhe çmimet po na ngarkohen me harxhime shtesë, sepse procedurat për të marrë leje ndërtimi dhe procedurat për PDU të ri zgjasin me vite, mos të them që ka PDU që zgjasin 5-10 vjet që të sillen. Nuk e di përse partitë politike kandidojnë këshilltarë nëpër komuna kur katër vjet asnjë DUP nuk sillet. Ky fenomen është posaçërisht vitet e fundit shumë aktual, një periudhë kishim politikë të gabuar, sjellja e moratoriumeve, vendime politike”, tha Fatmir Etemi – drejtori i përgjithshëm i “ZSF KOM”
Ankesa adresoi edhe arkitekti i projektit “GRAND Skopje” dhe bashkëpronar i “RADIUS ARCHITECTS”, Martin Panovski. Sipas tij, ka mungesë të lidhjes ndërmjet investitorëve të ndërtimit dhe qeverisë në Maqedoninë e Veriut.
“Diferencimin duhet ta bëj qeverisja, ato bëjnë pagesa në taksa komunale, që në rrethinë dhe perëndim nuk paguhen, paguhet tatim që është më shtrenjtë, taksat komunale janë më lirë, kjo i ngarkon në investimin fillestar, i ngarkon zhvilluesit. Qeveria nuk i kthen ato para në të njëjtin vend”, pohoi Martin Panovski – arkitekt.
Anëtari i bordit drejtues të “FABRIKA KARPOSH” SHA Aleksandar Stefanov zbuloi se është duke sjellë risi në ndërtim. Ai tha se bëhet fjalë për “apartamente smart”, në të cilat banorët do të kenë nën kontroll gjithçka nga celulari.
“Aleksandria është një nga projektet kyçe të Fabrikës Karposh në vitet e ardhshme, siç thatë bëhet fjalë për një ndërtesë vendbanimi të ri në komunën e Gjorçe Petrovit, në një sipërfaqe prej 150 mijë metrash katrorë, nga 500 mijë metra katrorë bruto, lagje ku duhet të përfshijë një segment të ri të jetesës në qytetin të Shkupit. Përveç objekteve të banimit do të ketë edhe objekte biznesi, shkolla, kopshte, infrastrukturë të re rrugore, kanalizime, shtëpi të të moshuarve etj”, deklaroi Aleksandar Stefanov – anëtari i b.d. “Fabrika Karposh”.
Cilave kategori komerciale të patundshmërive do t’u kushtohet rëndësi, si të motivohen investitorët dhe çka duhet të bëjmë për të zhvilluar tregun tonë janë disa nga çështjet që u trajtuan në konferencën e parë të patundshmërive të organizuar në vendin tonë.
