Aterroi avioni i parë në Aeroportin e Vlorës, me avion privat zbriti edhe Behgjet Pacolli

TË FUNDIT

Në aeroportin e Vlorës është ulur avioni i parë. I sotmi ishte fluturimi i parë certifikues në këtë aeroport. Fluturimet e para projektohen të bëhen në verën e vitit 2025. I pranishëm gjatë këtij momenti ishte edhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Kreu i qeverisë shqiptare, në fjalën e tij, tha: “Shumë urime dhe me këmbë të mbarë të gjithë punonjësve të rinj të aeroportit të Vlorës. Falënderoj edhe grupin e ardhur nga Kosova. Shpreh besimin se kjo shqiponjë dykrenare që është krijuar me dy grupet, do e ngrejë shumë lart emrin e këtij aeroporti. Falënderoj edhe ata që besuan e punuan për këtë projekt, që ishte tejet sfidues”.

Më tej, kryeministri njoftoi se së shpejti në Kukës do të nisë fluturimet kompania e re ajrore “Air Kosova”.

Më pas, me avionin e tij privat në Aeroport erdhi edhe biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, kompania e të cilit e ka ndërtuar Aeroportin.